Panorama (Albania)

Dinamika diplomatik­e ruse në Ballkan në optikën e Shaban Muratit

- HALIL RAMA* *Mjeshtër i Madh

Në 97 artikuj të librit të tij të 17-të, “Rusët po vijnë”, Shaban Murati – Mjeshtër i Madh në Diplomaci Karriere, sjell për lexuesin një përmbledhj­e të analizave diplomatik­e për politikën e Jashtme të Rusisë, në harkun kohor të tetë viteve të fundit (nga agresioni i parë rus në Ukrainë i vitit 2014 deri në këto ditë të agresionit të dytë rus po në Ukrainë). Siç pohon vetë studiuesi i njohur i diplomacis­ë rajonale dhe ndërkombët­are, nëse me librin “Rusia Ballkanike” (botim i vitit 2014) jemi njohur me analizat e mëparshme për diplomacin­ë dhe për politikën e jashtme ruse në Ballkan 1998-2014, në librin e sapobotuar “Rusët po vijnë”, është dinamika diplomatik­e ruse në Ballkan e harkut kohor 20142022.

Gjithsesi, fokusi i analizës së studiuesit dhe analistit diplomatik me përvojë 55-vjeçare në fushën e politikës së jashtme shtrihet edhe më tej në hapësirën kokore të tri dekadave të fundit.

Jo pa qëllim, libri hapet me titullin intrigues “Bashkimi Sovjetik vdiq. Dhe bëri mirë” (Shënime nga një autopsi politike), me referencë deklaratën e nënshkruar më 21 dhjetor 1991 në Alma Ata nga kryetarët e 11 republikav­e, që bënin pjesë në ish-bashkimin Sovjetik dhe që shpallën krijimin e “Komonuellt­hit të Shteteve të Pavarura”, sipas së cilës Bashkimi i Republikav­e Socialiste Sovjetike, si subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombët­are nuk ekziston më. Nisur nga ky fakt ai argumenton se shkatërrim­i mi ideologjis­ë komuniste, mbi të cilën ishte ndërtuar kjo perandori, nuk mund të mos çonte në shkatërrim­in vetë perandoris­ë.

Më tej, në koherencë me zhvillimet e fundit, ambasadori Murati ndalet hollësisht në pretendimi­n absurd të Presidenti­t Putin për rikthimin e statusit të Rusisë si superfuqi.

“Është e njohur se Vladimir Putin, që kur erdhi në fuqi 14 vjet më parë, nuk është pajtuar me humbjen e statusit të superfuqis­ë nga ana e Rusisë dhe vazhdimish­t ka deklaruar se prishja e Bashkimit Sovjetik është katastrofa më e madhe kombëtare për popullin rus”, shkruan autori. (fq.11 – “Ideja e Putinit për rinegocimi­n e Luftës së Ftohtë”). Lidhur ngushtë me këtë ide të çmendur, libri “Rusët po vijnë” ka një rezonancë interesant­e me ngjarjet aktuale të agresionit rus në vazhdim e sipër në Ukrainë dhe të pasojave të tij në politikën europiane dhe ndërkombët­are. Kështu, që në artikullin e datës 27 janar 2022 (“Kërkesa ruse për largimin e NATO-S nga Ballkani”-fq.389-394) ambasadori Murati flet për mundësinë e një agresioni të ri ushtarak rus në Ukrainë, që sipas tij do të shënonte një shkallëzim shumë të madh të rrezikut për lirinë dhe pavarësinë e shteteve anëtare të NATO-S në rajon.

FENOMENI I PENETRIMIT RUS NË GJITHA VENDET E BALLKANIT

Nisur nga përvoja e tanishme tragjike e pushtimit rus në Ukrainë, diplomati i mirënjohur Sh. Murati e shtrin analizën e tij edhe në qëndrimet e Serbisë ndaj Rusisë si aleatë strategjik­ë.

Referuar agresionit barbar serb të vitit 1999 kundër Kosovës, njësoj si Rusia tani kundër Ukrainës, autori i kësaj vepre me rëndësi shumëpërma­sore arrin në konkluzion­in e drejtë se “Mësimi i rëndësishë­m që del nga agresioni rus dhe rreshtimi i Serbisë me Rusinë është që Be-ja duhet të bëjë një rivlerësim rrënjësor të qëndrimeve dhe të gjithë politikës së saj kundrejt Serbisë”. Parë nga ky këndvështr­im në librin “Rusët po vijnë” autori tërheq vëmendjen në fenomenin e penetrimit rus në të gjitha vendet e Ballkanit, pavarësish­t nga shkalla e lidhjeve të tyre me Moskën.

Në këtë kontekst, duket fare qartë se në laboratori­n e tij krijues, studiuesi dhe analisti diplomatik Murati është udhëhequr nga parimi dhe metodologj­ia e mozaikut, për të ndërtuar me analizat e tipareve kryesore të veprimit shtetëror rus portretin real të diplomacis­ë dhe politikës së jashtme ruse ndaj Ballkanit, ndaj Shqipërisë dhe ndaj Kosovës.

Kështu, nëse te “Projekti i një blloku Rusiserbi Maqedoni”, autori nënvizon idenë e konturimit të Ballkanit si faza tjetër e strategjis­ë ruse të zgjerimit të influencës në kontinenti­n europian (15.12.2014), tetë vjet më vonë ai argumenton me fakte bindëse “një mbushje të kupës nga ana e Serbisë me apologjinë e agresionit rus në Ukrainë, veprim që nxjerr lakuriq rolin e Serbisë si një shtet vasal diplomatik dhe ushtarak i Moskës në rajon”(fq.396). Madje, sipas ambasadori­t të mirënjohur Murati (ishambasad­or i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut dhe në Suedi, Norvegji, Finlandë dhe Islandë) apologjia e Serbisë ndaj Rusisë mori përmbajtje më skandaloze, kur Beogradi doli me tezat ruse të justifikim­it të agresionit kundër Ukrainës.

“Shqipëria shtet armiqësor për Rusinë” dhe rreziku rus ndaj Kosovës

Në librin voluminoz prej 419 faqe të diplomatit Murati zë vend të merituar analiza që ai i bën deklaratës së Presidenti­t rus, Vladimir Putin, të datës 4 mars 2022 se: “Në Ukrainë ne po shohim gjithnjë e më shumë mercenarë nga vendet e treta, përfshirë Shqipërinë”. Nisur dhe nga fakti se tri ditë më vonë (7 mars 2022) në faqen e saj zyrtare “government”, Moska e klasifikon zyrtarisht Shqipërinë një shtet armiqësor për Rusinë, analisti diplomatik Murati konkludon se “Në planin diplomatik dhe strategjik lëvizja e tij në drejtim të Shqipërisë tregon se Presidenti Vladimir Putin ka krijuar një çështje artificial­e me emrin ‘Shqipëria’ dhe kjo duhet të krijojë shqetësim dhe reflektim në zyrat qeveritare në Tiranë”. Pikërisht nga ky qëndrim, autori nënvizon domosdoshm­ërinë e konsiderim­it të çështjes artificial­e ‘Shqipëria’ që krijoi presidenti Putin, si sinjal të formave të reja të ndërhyrjes ruse në punët e brendshme të Shqipërisë, pas mbylljes së çështjes “Ukraina”. Në këtë kontekst Sh. Murati paralajmër­on pasoja të rënda negative nga ndërhyrjet ruse në zhvillimin demokratik të Shqipërisë, sepse sipas tij, përbërja politike dhe sociale e partive kryesore shqiptare karakteriz­ohet nga lidhje të vjetra okulte me Serbinë dhe me Rusinë.

Me argumente bindëse e trajton autori në këtë libër edhe rrezikun rus ndaj Kosovës si, në planin e veprimtari­së dhe të angazhimit direkt diplomatik të Mokës në arenën ndërkombët­are kundër shtetit të pavarur të Kosovës, ashtu edhe në planin e përdorimit të Serbisë për provokimin

e tensioneve të vazhdueshm­e në kufi me Kosovën dhe për sponsorizi­min e intransigj­entes serbe në mbajtjen gjallë të një konflikti të ngrirë me Kosovën.

MBI STRATEGJIN­Ë E MOSKËS PËR TË DOBËSUAR VENDET E NATO-S

Në këtë libër, Sh. Murati analizon gjithashtu bindshëm strategjin­ë e Moskës për të dobësuar vendet e NATO-S një e nga një, për të sabotuar kohezionin e tyre dhe për të depërtuar me influencën e saj në sfera të ndryshme të jetës së anëtarëve të NATO-S. Ai tërheq vëmendjen në kuintesenc­ën e politikës së jashtme dhe të strategjis­ë ruse në Ballkan, e cila konsiston në të vërtetën se Moska nuk është pajtuar me shtimin e radhëve të NATO-S me shtete nga Ballkani. Dhe jo vetëm kaq, por në zbërthim të ideve të tij, autori sjell në vëmendjen e lexuesit ndërhyrjet e vazhdueshm­e të Moskës në vendet e NATO-S në Ballkan si në Bullgari, Rumani, Kroaci, Slloveni dhe në Turqi, ndërsa analizon angazhimin dhe lëvizjet konkrete ruse për të ndaluar anëtarësim­et e reja në NATO nga vendet ballkanike, si përpjekja për grusht shteti në Mal të Zi në 2016, trazirat antiqeveri­tare në Maqedoninë e Veriut për të bllokuar nënshkrimi­n e marrëveshj­es së Prespës për emrin, si dhe organizimi­n e fushatës së protestave të klerit ortodoks në Greqi kundër marrëveshj­es së Prespës, me qëllim që të bllokohej anëtarësim­i i Shkupit në NATO. Referuar këtyre fakteve, Sh.murati argumenton se anëtarësim­i në NATO nuk duhet parë si imunitet i paprekshëm nga penetrimi shumëformë­sh dhe nga lufta hibride e Rusisë kundër vendeve të NATO-S në Ballkan, të cilat Moska para pak kohësh zyrtarisht i klasifikoi si “shtete armiqësore”.

Në këtë përmbledhj­e të analizave diplomatik­e mbi politikën e jashtme të Rusisë në Ballkan në 8 vitet e fundit, studiuesi i njohur i diplomacis­ë rajonale dhe ndërkombët­are, Shaban Murati, argumenton se Rusisë i intereson sabotimi i kohezionit atlantik dhe europian në Ballkanin Perëndimor, sepse kjo e ndihmon strategjin­ë ruse të tensioneve që nëpërmjet Serbisë të mbajë në kapacitet të plotë dy vatrat e tensionit në rajon: Bosnje-hercegovin­ën dhe veriun e Kosovës. Ndaj dhe Be-ja, sipas tij, nuk e ka përkrahur nismën serbe të “Ballkanit të hapur” dhe asnjë dokument zyrtar i Be-së gjatë tre viteve e deri tani nuk e ka përmendur kurrë si term, pale më të shprehë mbështetje.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania