Panorama (Albania)

Idrizi: Deklaratat e Dendias, gjuhë arrogante

Babai i Kryeminist­rit aktual, e pranoi çështjen çame në vitet ‘90

-

Kreu i PDIU-SË, Shpëtim Idrizi, e ka cilësuar si gjuhë arrogante, që duhet të na shqetësojë, deklaratën e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, për çështjen çame, i cili ka thënë se nëse përmendni Çamërinë, s’ka integrim në BE. Në kuadër të Javës Çame që përkujton gjenocidin mbi çamët, Kuvendi i Shqipërisë ka hapur dyert për të kujtuar këtë gjenocid. Idrizi tha se Dendias dhe Kyriakos Mitsotakis duhet të mos harrojnë deklaratën e babait të Kryeminist­rit aktual grek, i cili e ka pranuar çështjen çame në takime me ishkryemin­istrin Aleksandër Meksi. “Në qoftë se ka dikë që nuk e befason kjo gjë, jemi pikërisht ne. Sigurisht që më bën përshtypje si deklarim, sepse i shkon ministrit të Jashtëm të një vendi që ka një ligj lufte me Shqipërinë, por nuk i shkon një ministri të Jashtëm, i cili duhet të kuptojë që duhet të ketë raporte të fqinjësisë së mirë me Shqipërinë apo atë që na përmendin sa herë që duan që ka dhe një traktat miqësie me Shqipërinë. Është një gjuhë arrogante, duhet të na shqetësojë të gjithëve, jo thjesht edhe ne. Sigurisht që mund të ketë njëfarë të drejte, sepse herë-herë politika shqiptare e merr dhe e lë çështjen çame në bazë të një axhende. Në qoftë se kjo çështje nuk ka vazhdimësi, dhe unë nuk kuptoj pse politika shqiptare nuk ka kontinuite­t në kërkimin e drejtësisë për shqiptarët e Çamërisë, sigurisht që ai mundohet ta artikulojë në këtë mënyrë. Më duhet t’i kujtoj ministrit të Jashtëm të Greqisë së sotme, por edhe Kryeminist­rit të sotëm, as më shumë e as më pak, por babain e Kryeminist­rit të sotëm, Mitsotakis­in e parë, i cili në takimet me z. Aleksandër Meksi e ka pranuar ekzistencë­n e çështjes çame, madje kanë pranuar që të ngrenë dhe komisionet mikse, duke filluar nga ngritja e varrezave për

partizanët çamë të rënë në Greqi. Të paktën, të vdekurit t’i trajtojmë njësoj. Ne jemi të detyruar të vazhdojmë betejën tonë për drejtësi. Të gjithë ata që thonë heshtni, ne nuk heshtim dot për familjarët tanë, por bëjnë mirë të mos heshtin ata”, tha Idrizi. Në lidhje me javën çame, Idrizi tha se: “27 qershori është ditë e njohur nga Parlamenti i Shqipërisë, si dita e gjenocidit mbi shqiptarët e Çamërisë. Ka edhe një rezolutë për këtë gjë”. Në Kuvendin e Shqipërisë u mblodhën patriotë çamë, aktivistë të shoqërisë civile, ambasadorë e studiues, të cilët vunë theksin në zgjidhjen e çështjes çame dhe përshëndet­ën me valle çame.

 ?? ??
 ?? ?? Shpëtim Idrizi
Shpëtim Idrizi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania