Panorama (Albania)

Bien importet, çmimi i çmendur i naftës ul konsumin

-

Me ritmet e larta të rritjes së çmimeve të hidrokarbu­reve, qytetarët kanë ulur konsumin duke mos e përballuar dot shifrat stratosfer­ike. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave flasin për 44 mijë tonë naftë të importuara në maj, nga 49 mijë tonë të së njëjtës periudhë të një viti më parë. Kjo shënon një rënie prej 18%, më e forta në krahasim me dy muajt paraardhës. Ndërsa në të gjithë 5-mujorin, importet e naftës shënuan rënie me 6%. Fokusi ishte në tre muajt e fundit, për shkak të luftës në Ukrainë. Importet e naftës ishin në rritje të shpejtë para se të niste lufta. Në janar 2022, importet shënuan rritje vjetore me 13% dhe në shkurt pësuan rënie të shpejtë me 8.4%, pasi nisën sulmet ruse në Ukrainë. Ndërsa në mars importet ranë me 16%, në prill me 12 për qind dhe në maj u thellua rënia me 17%. Me fillimin e luftës, çmimi i naftës në tregun e brendshëm u rrit me 30 për qind në javën e parë të marsit, duke i kaluar 245 lekë për litër. Aktualisht, çmimi i naftës përcaktohe­t nga Bordi i Transparen­cës dhe ditën e premte u vendos çmimi më i lartë që prej fillimit të luftës, 265 lekë për litër, ose rreth 40% më i lartë se një vit më parë. Megjithatë thuhet se konsumi i naftës në Shqipëri ka treguar se është rezistent ndaj rritjes së çmimeve, pasi makina përdoret si mjet i domosdoshë­m. Aktorët e tregut pohojnë se rënia e konsumit të karburante­ve është konstatuar më shumë në rrethet kufitare që kanë nisur të furnizohen në vendet fqinje. Ndonëse Shqipëria është një ndër vendet me çmimet më të larta të naftës, konsumi dhe çmimi kanë ecur paralelish­t, për shkak se numri i përdoruesv­e të automjetev­e është rritur gjatë kësaj periudhe. Lufta në Ukrainë ka bërë që qytetarët të përqendroj­në shpenzimet në mallrat jetike, ndërsa bie konsumi në produktet jojetike.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania