Panorama (Albania)

Rriten pagat për ushtarakët, nga 1 korriku do të marrin 30% më shumë, kush përfiton

Shtesën më të lartë, ushtarakët që janë pjesë e mbrojtjes kibernetik­e Nga ushtari i parë te gradat më të larta. Përfitojnë rreth 6 600 ushtarakë aktivë të Forcave të Armatosura

- VALENTINA MADANI

Qeveria vendosi dje që nga data 1 korrik të rrisë me 30 % pagën për ushtarakët. Nga ky vendim përfitojnë nga ushtari i parë deri te gradat më të larta. Përfitues janë 6 600 ushtarakë aktivë të Forcave të Armatosura. Lajmin e bëri dje të ditur ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, pas mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave. Sipas vendimit të qeverisë, përfitojnë rritjen e pagës bazë për gradë ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura, e konkretish­t në masën rreth: (i) 24% për gradën Gjeneral Lejtnant (Admiral); (ii) 23,5% për gradën Gjeneral Major (Nënadmiral) dhe; (iii) 30% për të gjitha gradat e tjera të kategorive oficerë, nënoficerë dhe ushtar-detarë; Përcaktimi­n e masës së shtesës për kushte të veçanta pune e shërbimi 20 000 lekë në muaj, për punonjësit e personelit ushtarak aktiv akademik, në Akademinë e Forcave të Armatosura dhe për punonjësit e personelit ushtarak aktiv, në Njësinë e Mbrojtjes dhe Sigurisë Kibernetik­e. Paga minimale në Forcat e Armatosura do të jetë 51 mijë lekë të rinj, ndërsa janë 38 pozicione që do të marrin shtesë veç 30% të rritjes së pagës. Ministri Peleshi thekson se është hartuar dhe një listë me afro 38 pozicione pune dhe struktura, të cilat përfitojnë një tjetër shtesë page. Shtesën më të lartë, Peleshi shprehet se e përfitojnë ushtarakët që janë pjesë e mbrojtjes kibernetik­e. “Kemi marrë një vendim që nuk merret shpesh. Në 30 vite nuk ka pasur një vendim si ky që lidhet me trajtimin me pagë të personelit ushtarak. Kemi bërë rritjen historike të pagës. Jam krenar dhe mirënjohës

që premtimi i Kryeminist­rit është jetësuar. Të gjithë ushtarakët, nga ushtari i parë, te gradat më të larta, nga data 1 korrik, do kenë një pagë 30% më të lartë. Paga minimale në Forcat e Armatosura është më shumë se 51 mijë lekë të rinj. Plus pagesa shtesë të trajtimit ushqimor dhe trajtime të tjera sipas vështirësi­ve. Kemi hartuar dhe një aneks, një listë me 38 pozicione apo struktura brenda Fa-së që marrin një shtesë tjetër mbi shtesën e pagës. Mund të veçoj strukturën më të lartë që merr një shtesë të tillë, që është struktura ushtarake e mbrojtjes kibernetik­e. Përveç shtesës 30%, do marrë dhe 20

mijë lekë të rinj shtesë mbi këtë pagë, për shkak se mbrojtja kibernetik­e ka marrë një rol shumë të rëndësishë­m sot në Shqipëri dhe në të gjithë botën”, tha Peleshi. Sipas ministrit, kjo shtesë i bën Forcat e Armatosura më të paguarat në rajon. “Shtesa kemi parashikua­r edhe për struktura të tjera të forcave komando, të trupave speciale, mjekëve të Fa-së dhe shumë të tjera. Janë 38 pozicione. Nga data 1 korrik, ushtarakët do kenë një nga pagat më të larta në rajon. Është bërë realitet një premtim i shumëpritu­r. Ka pasur dhe një lloj skepticizm­i. Nuk jemi në momentet më të mira për

të rritur shpenzimet. Për të hapur dyer dhe për të pasur më shumë prurje në Forcat e Armatosura. Edhe pagat janë të rëndësishm­e. Ne jemi aktivë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në operacione ndërkombët­are”, theksoi z.peleshi. Premtimin për rritjen e pagave të ushtarakëv­e e pati bërë pak kohë më parë Kryeminist­ri Edi Rama në prezantimi­n e buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes për vitin 2022, ndërsa shtoi se sërish vitin e ardhshëm do të ketë rritje pagash. Kreu i qeverisë tha se Shqipëria do ketë paga më të larta për këtë sektor dhe nuk do të qëndrojë në fund të listës së vendeve të NATO-S.

 ?? ??
 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania