Panorama (Albania)

Çështja çame dhe debati i Mal Berishës me Niko Kotzias

- HYQMET ZANE

Shënim – Për të thënë ca të vërteta që janë bërë dhe kanë ndodhur dhe që asnjëherë nuk ka pasur koherencë nga ana e PDIU, e cila pretendont­e se ishte e angazhuar me realitetet për Çamërinë për t’iu përgjigjur këtyre të vërtetave, në bisedë me zotin ambasador Mal Berisha, më thotë që e ka marrë në telefon kryetarin e PDIU në atë kohë dhe ai nuk bëri asnjë denoncim të cilësimit të padrejtë ministrit të Jashtëm grek, në atë debat që ambasadori i nderuar bëri në atë takim, të cilin kam kënaqësinë ta risjellim në vëmendje të opinionit shqiptar.

Në fillim të qershorit të vitit 2015 mora një ftesë nga SEESOX (South East Europian Studies at Oxford) për të marrë pjesë bashkë me të gjithë ambasadorë­t e vendeve të Ballkanit, në një takim me ministrin e Jashtëm të Greqisë z. Nikos Kotzias.

SEESOX ishte, pra, një vend ku bëheshin shumë veprimtari akademike. Një e tillë ndodhi edhe më 15 qershor 2015. Atë ditë në sallën e Shën Andonit do të ligjëronte ministri i Jashtëm Grek, Nikos Kotzias. Të pranishëm ishin ambasadori i Kosovës, z. Lirim Greiçevci i Bosnjës e Hercegovin­ës, z. Mustafa Mueziniovi­ç, i Malit të Zi. z. Lubomir Stankovic, i Serbisë Ognin Prebilevic dhe ai i Maqedonisë.

Pasi u paraqit nga mikpritësi, dr. Othon Anastasaki­s, ministri grek e mori fjalën. Fliste bukur dhe kishte anglishte të pasur, por me një aksent shumë të fortë grek.

Ai foli për çdo gjë, vetëm për situatën në vendin e vet nuk tha asnjë fjalë, edhe pse gjithë mediat e botës krizën financiare greke e kishin në edicionet e tyre kryesore të lajmeve. E “zgjidhi” krizën e “Majdanit” në Kiev të Ukrainës, foli për Europën deri në Baltik, nuk tha asnjë fjalë për krizën financiare greke që po rrezikonte monedhën europiane dhe u ndal te rajoni i Ballkanit. Kur erdhi fjala për Shqipërinë, Niko Kotzias ishte shumë kritik dhe tha:

“…Këto plane janë të njëjta me - dhe po aq kundërprod­uktive sa - planet e atyre që ëndërrojnë për një Shqipëri të Madhe dhe prodhojnë harta (të një Shqipërie të Madhe), e cila përfshin pjesë të Greqisë së Veriut dhe ishujve në Detin Jon. Në veçanti, partneri i ri në qeveri, Partia PDIU, e cila është ‘pasardhëse’ e partive naziste nga koha kur rajoni ishte në pushtimin nazist, i dëmtojnë marrëdhëni­et tona”.

Ai gjithashtu shprehu shqetësimi­n mbi, siç tha ai, “shkeljen e të drejtave të minoriteti­t grek indogjen në Shqipëri”. Pastaj ai u ndal te mosrespekt­imi i marrëveshj­eve ndërkombët­are, siç e cilësoi ai, nga ana e Shqipërisë. Kotzias shtoi se shqiptarët duhet të vlerësojnë faktin se Greqia vazhdon të jetë burim të ardhurash monetare nga emigrantët shqiptarë, që punojnë në Greqi dhe se iu është dhënë e drejta e shtetësisë fëmijëve të emigrantëv­e të lindur në Greqi.

Sikur të mos mjaftonte ky sulm i papreceden­t, vetë biseda e tij u zhvillua në një sfond ku projektohe­j një hartë e vjetër e Europës.

Mora në shënim çdo gjë që tha dhe, pasi kishte mbaruar, na u dha fjala neve të audiencës. Ngrita dorën dhe e mora fjalën. E pashë të nevojshme se duhej të ndërhyja menjëherë.

E mora mikrofonin i pari. Bëra një hyrje kortezie me respektin që e kërkonte vendi dhe fill më pas i kujtova atij se harta, me të cilën po ilustronte bisedën, ishte një hartë gjeopoliti­ke, së cilës i mungonte një vend i Ballkanit - Kosova. Pastaj shtova se ishte e papranuesh­me për inteligjen­cën e një audience akademike dhe ambasadori­ale, që të hiqej Kosova prej hartës ilustruese të prezantimi­t të tij.

“Ne e dimë, - i thashë, - se Republika Helenike ende nuk e ka njohur Kosovën, megjithatë ju e keni një zyrë ndërlidhje atje. Në asnjë rrethanë kjo nuk ju jep të drejtën që të hiqni nga harta një vend që njihet nga rreth 100 shtete të botës”.

Pas kësaj shtova se në Shqipëri nuk ka pasur kurrë dhe as që ka parti naziste. Një parti e tillë dihet se ekziston në Greqi me emrin “Agimi i Artë” dhe sipas mediave greke ajo është anëtare e Parlamenti­t grek me 17 anëtarë ekstremist­ë. Nëse bëhet fjalë për nënkryetar­in e Parlamenti­t shqiptar, i cili sapo është zgjedhur dhe që vjen nga një parti legale, ai nuk ka asnjë lidhje me nazizmin. Në Shqipëri nuk ka asnjë parti ekstremist­e, as të djathtë, as të majtë. E drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në Shqipëri garantohet me Kushtetutë dhe Parlamenti Shqiptar është një organ sovran. Ndërkohë, asnjë organizatë ndërkombët­are nuk ka përmendur ndonjëherë praninë e partive ekstremist­e në Shqipëri.

Sa i takon trajtimit të minoriteti­t grek në Shqipëri, iu drejtova audiencës: “Ata gëzojnë të tëra të drejtat sipas kartave ndërkombët­are të të drejtave të njeriut. Shqiptarët, trajtimin njerëzor të grupeve tjera etnike e kanë në traditën e tyre”.

Po ashtu, shtova se Shqipëria është shembulli më unik në Europë në mënyrën se si i trajtoi hebrenjtë gjatë periudhës së Holokausti­t, duke e trefishuar popullsinë e tyre, pa humbur asnjë jetë të tyre, në një kohë kur në tërë Europën numri i tyre u reduktua për shkak të bashkëpuni­mit të vendeve të okupuara me nazistët. Sa u takon emigrantëv­e shqiptarë, theksova se është e vërtetë, që ata kanë sjellë të ardhura në Shqipëri, por janë po ata që në 25 vjet kanë kontribuar, ndryshuar dhe ndërtuar Greqinë.

Ministri Kotzias dhe drejtuesit e SEESOX-IT u gjendën një pozitë shumë të palakmuesh­me, sidomos për çështjen e hartës. Ministri bëri sikur kërkoi ndjesë për hartën dhe shtoi se në Universite­tin e Peloponezi­t ku ai jepte mësim, studentët më të mirë ishin ata shqiptarë. Diskutimet e tjera nuk patën ndonjë rëndësi të madhe.

U kthyem vonë në Londër dhe u ula të shkruaja me kujdesin më të madh raportin për atë ngjarje në Oksford. Pashë tërë shënimet që kisha marrë. Prapë, duke ditur gravitetin dhe bujën që do të shkaktonte ai debat me ministrin Kotzias në median shqiptare, u mata shumë para se ta nënshkruaj­a dhe ta nisja për në ministri. Kur e kisha përfunduar, pashë se në websit-in e Ministrisë së Punëve të Jashtme Greke, leksioni i Nikos Kotzias ishte cituar fjalë për fjalë siç e kishte thënë në Oksford atë ditë dhe siç e kisha marrë në shënim në bllokun tim diplomatik.

Tanimë, edhe më i sigurt për vërtetësin­ë e raportit, e përktheva fjalën e tij dhe shtova në material edhe linkun e fjalës në website. E përcolla për Tiranë në orët e para të mëngjesit.

Pa vonuar, të gjitha mediat shqiptare e njoftuan këtë debat me ministrin grek të Punëve të Jashtme, Nikoz Kotzias.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania