Panorama (Albania)

Raketat ruse goditën Kievin teksa filloi Samiti i G7 në Europë

Johnson: Lufta në pikë kritike, por ka mundësi për ta kthyer atë në favor të Ukrainës Biden thotë se G7 duhet të qëndrojë e bashkuar ndërsa sanksionet ndaj arit synojnë të godasin “makinerinë e luftës” së Putinit

-

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të dielën se Shtetet e Bashkuara dhe ekonomitë e tjera të grupit G7 do të shpallin një ndalim të importeve të arit nga Rusia, një hap që udhëheqësi­t shpresojnë se do ta izolojë më tej ekonomikis­ht Rusinë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. Një njoftim zyrtar pritet të martën në kuadër të takimit vjetor të grupit të shtatë vendeve më të industrial­izuara. Presidenti Biden dhe aleatët e tij të G7 filluan të dielën takimin e nivelit të lartë për të diskutuar strategjit­ë për të siguruar furnizimet me energji dhe për të trajtuar inflacioni­n, në përpjekje për të parandalua­r që pasojat e agresionit rus në Ukrainë të dëmtojnë koalicioni­n global që punon për të ndëshkuar Moskën. Ky grup përbëhet nga: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja dhe Japonia. Disa orë përpara hapjes së takimit, Rusia kreu sulmet me raketa kundër kryeqyteti­t ukrainas, sulmet e para të tilla nga Rusia në tri javë. Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha përmes aplikacion­it “Telegram” se kishte pasur disa shpërthime në qytet dhe se operacione­t e kërkim-shpëtimit u nisën pasi zjarri shpërtheu kur një ndërtesë banimi u godit nga një raketë. Klitschko tha se lufta e Rusisë kundër Ukrainës është “e pakuptimtë” dhe mijëra civilë kanë vdekur, dhe shtoi: “Ne duhet të bëjmë gjithçka për të ndaluar këtë luftë”. Zyrtarë të lartë të administra­tës së Presidenti­t Biden thanë se ari është eksporti i dytë më i madh i Moskës pas energjisë dhe se ndalimi i importeve do ta bënte më të vështirë për

Rusinë pjesëmarrj­en në tregjet botërore. “Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar”, i ka thënë Biden Scholzit para nisjes së samitit dyditor në Alpet gjermane gjatë ditës së diel. Ai ka thënë se Presidenti rus, Vladimir Putin, ka shpresuar se “NATO-JA dhe G7 do të copëtohesh­in disi, mirëpo kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë”. Para nisjes së samitit, zyrtarët amerikanë dhe ata britanikë kanë bërë të ditur se vendet anëtare të këtij samiti do të vendosin ndalesë në blerjet e arit rus, me qëllim të shënjestri­mit të elitës ruse. Takimi i G7-ës është një prej samiteve kyçe që do të mbahen në ditët në vijim, teksa lufta e Putinit në Ukrainë, kriza me ushqimin dhe karburante­t pritet të jenë temat kyçe. Pas takimit të G7-s, liderët e NATO-S do të mblidhen për një samit në Madrid më 28-30 qershor. “Dua të të përgëzoj për qëndrimin që keni pasur teksa jeni bërë Kancelar”, dhe për “ndikimin që keni pasur në gjithë Europën sidomos sa i përket Ukrainës”, i ka thënë

Biden Scholzit para gazetarëve. Edhe Kryeminist­ri britanik, Boris Johnson, i ka dhënë kompliment­e Scholzit, duke thënë se “nuk e kam menduar kurrë në jetë se do të shoh një Kancelar gjerman me një udhëheqësi sikurse të Olaf Scholzit, i cili u ka dërguar armë ukrainasve për të mbrojtur veten”. Johnson ka përmendur rritjen e pavarësisë nga furnizimet me gazin rus dhe ka thënë se “pasojat e asaj që po ndodh në botë, janë të ashpra, mirëpo çmimi i tërheqjes, çmimi i lejimit të fitores së Putinit, të marrjes së territorit të Ukrainës, ai çmim do të jetë shumë, shumë më i lartë, dhe secili këtu e kupton këtë gjë”. Scholz ka thënë në një videoadres­im më 25 qershor se “lufta brutale e Rusisë në Ukrainë është duke pasur ndikim edhe këtu”, duke përmendur rritjen e çmimeve të ushqimeve, gazit dhe energjisë në Gjermani. Liderët e G7-s do të diskutojnë edhe çështje tjera, përfshirë inflacioni­n global, pandeminë e koronaviru­sit dhe ndryshimet klimatike.

 ?? ??
 ?? ?? Presidenti Joe Biden dhe Kancelari Olaf Scholz
Presidenti Joe Biden dhe Kancelari Olaf Scholz

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania