I ngarkuari me punë i SHBA takon kreun e AMP! Zbardhen temat e diskutimit
I ngarkuari me punë i SHBA- ve, David Wisner, së bashku me atasheun për Asistencë në Çështjet e Zbatimit të Ligjit, drejtues i ICITAP për Shqipërinë, Richard Deasy dhe këshilltaren ligjore rezidente të OPDAT, znj. Mary Kate Butterfield, vizituan Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Ata u pritën nga drejtori i përgjithshëm Florian Sulejmani dhe drejtues të lartë të AMP. Wisner garantoi mbështetjen e palëkundur që ofron ambasada e SHBA- ve për të rritur kapacitetet e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në funksion të zbatimit të ligjit. Wisner theksoi përkushtimin për forcimin e partneritetit përmes programeve ICITAP dhe OPDAT, me qëllim parandalimin e korrupsionit apo paligjshmërive brenda radhëve të Policisë së Shtetit. Ky bashkëpunim përfshin trajnime të vazhdueshme dhe cilësore të personelit të Agjencisë, të cilat synojnë të rrisin eficiencën e hetimeve proaktive në funksion të goditjes së paligjshmërisë, duke përmbushur kështu edhe pritshmëritë e publikut për një shërbim policor në përputhje me standardet evropiane. Wisner përgëzoi përkushtimin dhe vendosmërinë e Drejtuesit të Agjencisë në përmbushjen e misionit për mbikëqyrje civile, transparente dhe të pavarur, trajtimin e shkeljeve të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Ai siguroi mbështetje të vazhdueshme përmes asistencës teknike dhe profesionale për sektorë të veçantë si hetimi, inspektimi dhe trajtimi i ankesave. Drejtori i përgjithshëm, Florian Sulejmani, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe vizionin e përbashkët me ambasadën e SHBA në Tiranë, duke theksuar vendosmërinë e Agjencisë në luftën kundër korrupsionit dhe paligjshmërisë brenda Policisë së Shtetit. Ai tha se Agjencia po kontribuon fuqishëm në këtë drejtim, nëpërmjet hetimeve proaktive dhe bashkëpunimit me SPAK e Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm. Një kontribut tjetër mjaft i rëndësishëm është edhe zhvillimi i testeve të poligrafit, detyrim ky që i është ngarkuar Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në kuadër të reformës në drejtësi. Gjithashtu, ai nënvizoi rëndësinë e procesit të vlerësimit kalimtar e periodik dhe rolin kyç të Agjencisë, si një nga mekanizmat e vetëpastrimit, me qëllim rritjen e besimit të publikut tek Policia e Shtetit dhe forcimin e integritetit brenda radhëve të saj. Në përfundim të takimit, drejtori i përgjithshëm, Florian Sulejmani i dorëzoi të ngarkuarit me punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Wisner dhe këshilltares ligjore rezidente të OPDAT, Mary Kate Butterfield nga një dhuratë simbolike me stemën e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.