Fterriotët, prej 25 vitesh edhe më gazetën "Fterra jonë"
Lashtësia e Fterrës që nga viti 1431, koha kur zbulohet defteri i parë osman. Dukuritë e rralla të fshatit në Sarandë
"Duhej mbushur zbrazdësia që krijoi fillimi i tranzicionit shqiptar. Duhej amortizuar depresioni që vinte nga përplasjet e egëra mes ideologjive dhe rrymave me divergjenca të thella politike e shoqërore. Në fillim, thekson ai, u krijuan 4 grupe shoqërore që i bashkonte kafeja e mëngjesit, ku nisën të rriheshin dhe hallet e fterrjotëve. Më pas, e kuptuam se, ai që do të bënte forcën e Fterrës dhe të fterrjotëve ishte bashkimi. Erdhi një ditë e bukur, që 4 grupet do të bashkoheshin në një të vetëm, të cilin do ta pagëzonim me emrin më të bukur '' Kuvendi i Fterrës''. ma. Selia qendrore e këtij kuvendi u bë Taverna "Dajti", i cili mblidhej çdo të shtunë të javës. Në fillim ishin pak, por numri i frekuentuesëve, sa vinte e shtohej. Në këto tryeza bisedash të ngrohta nisën të vinin edhe njerëz të shquar të shkencës dhe kulturës, si Myzafer Korkuti, Nafiz Bezhani, Jakup Mato, Halil Zhupa, etj. Rritja sasiore dhe cilësore e këtij kuvendi, kërkonte edhe një emër më kuptimplotë. Për të gjetur këtë emër, thotë Vexhi Gjoni, na erdhi në ndihmë një nga veprimtarët më të zellshëm të kësaj shoqate si Halil Zhupa, i shquar jo vetëm për elegancën e veshjes, por dhe të tregimit plot pasion e humor. Ja ç'u tregon ai shokëve: - Kur isha duke u veshur për të ardhur në këtë takim, nipi më pyeti: - Ku do të shkosh, gjysh, që je bërë kaq i bukur!? I zënë në befasi, i përgjigjet: - Do të shkoj në Parlament. Ky tregim elegant i Halil Zhupës u shoqërua me të qeshura dhe diskutime të zjarrta. Por "parlamenti", ky emër elegant, që lindi nga një shaka e rastit midis gjyshit dhe nipit të tij fterriot, më në fund u përzgjodh si emri më kuptimplotë, për të pagëzuar Shoqatën e Fterrës. Nga ky çast, Kuvendi i Fterrës do të mbante emrin më të bukur "Parlamenti i Fterrës", i cili, siç duket do të vazhdojë gjatë. Bisedat e ngrohta, debatet që feksin çdo të shtunë në këtë "Parlament", aty pranë aromës së këndshme të kafes së mëngjesit nuk shkonin kot. Ato nisën të diskutoheshin, analizoheshin e përpunoheshin me hollësi nga Agron Xhama, i cili, pasi i hidhte në kompjuterin e tij, i mbështetur nga profesorët Myzafer Korkutit e Ismet Elezi dhe publicistët dhe shkrimtarët e njohur Bardhul Xhama dhe Guro Zeneli, krijuan gazetën "Fterra jonë", e cila sot ka mbi 25 vjet që del rregullisht, si tribunë e fjalës së lirë të fterrjotëve. Kjo gazetë, që drejtohet me përkushtim nga Feksor Shkurti, përbën një shembull unik të papërsëritshëm të një gazete fshati, në një kohë kur edhe shumë gazeta të mëdha kombëtare, ose janë mbyllur, ose rrezikojnë të falimentojnë. Ajo, jo vetëm del rregullisht çdo muaj, por dhe shpërndahet e lexohet kudo ku ka fterrjotë dhe dashamirës të tyre.
"Parlamenti" i Fterrës ka dhe një statut që do ta kishte zili edhe vendi më demokratik në botë. Ai që e formuloi i pari
këtë dokument të shenjtë për këtë "Parlament", të cilin e quajnë "Kushtetutë", është Rexho Kurupi. Ja disa nga nenet më kryesore të tij:
1- Ky "Parlament" krijohet, me unanimitet të plotë nga të gjithë nismëtarët dhe mban si datë krijimi, 11 shtatorin e vitit 1993.
2- "Parlamenti i Fterës", me qendër në Tiranë, është i depolitizuar plotësisht.
3- Në këtë "Parlament" nuk ka hierarki, tituj, grada, janë të gjithë të barabartë.
4- Ndalohet çdo bisedë, diskutim që fyen, ofendon, shan e shpif ndaj Fterrës dhe fterriotëve.
5- Në "Parlament" vjen kur të duash dhe ikën kur të duash.
6- Në "Parlamentin e Fterrës" ka vend për të gjithë fterriotët, shokët, miqtë e dashamirësit e tyre, kudo që punojnë dhe jetojnë…
Te këto "nene" qëndron dhe sekreti i sukseseve të këtij institucioni shoqëror, emri i madh i të cilit lindi nga një shaka e këndshme mes një gjyshi dhe nipit të tij fterriot. Për të shuar kureshtjen, se ç'ishte, në të vërtetë, "Parlamenti", që ndrinte në ballë të fshatit Fterrë, atë e vizituan, në atë kohë, edhe disa personalitete të spikatura të shkencës, artit dhe kulturës si Skënder Gjinushi, Sabri Godo, Viktor Nushi, etj. Për ta vizituar kanë ardhur dhe shumë emigrantë nga të katra anët e botës si, Hulusi Hizmo, Ajet e Lirim Ruka, Kudret Mita etj. Me veprimtarinë dhe punën e tij të gjallë, ky "Parlament" ka tërhequr edhe vëmendjen e disa televizioneve kombëtare si "Top Cannel", i cili ka përgatitur disa emisione të posaçme me veprimtarët më të zellshëm të kësaj shoqate si, Agron Xhama, Amelia Shkurti, Elvira Zhupa e Feksor Shkurti, ku është shpalosur historia dhe veprimtaria e gjallë e këtij Parlamenti. Veprimtaritë e këtij "Parlamenti", janë të shumta, por ne do të ndalemi te disa prej tyre. Takimet javore; festat e përbashkëta familjare, në çdo vit të ri; takimi i madh, në çdo 5 vjet në Fterrë. Ky "Parlament" zhvillon një veprimtari të dendur edhe për sheshimin e konflikteve e mosmarrveshjeve mes familjarëve e individëve të veçantë. Ai sot funksionon në disa degë që, janë krijuar edhe në disa qytete të mëdhenj të vendit ku ka shumë fterrjotë, si në Tiranë, Durrës e Sarandë, ku merren nisma të guximshme edhe për realizime projektesh për zhvillimin e fshatit Fterrë. Kryetari i degës së kësaj shoqate, me qendër fshatin Fterrë, Jashik Maçi, në festën e 30- vjetorit të krijimit të këtij "Parlamenti", mes të tjerash thekson se, aty mes bisedash e diskutimesh të zjarrta lindin ide, mblidhen kontribute e konkretizohen aksione të guximshme në funksion të ripërtëritjes së Fterrës. Janë zhvilluar takime tradicionale brezash, mbledhje kontributesh për restaurimin e rrugës automobilistike FterrëBorsh, për festimin e 25- vjetorit të gazetës "Fterra jonë" dhe për rindërtimin e lapidarit të dëshmorit të këtij fshati, "Fuat Mato". Rëndësi i është kushtuar inplementimit të disa projekteve të fshatit e zonës, për mbrojtjen dhe zhvillimin e këngës labe… Krijon kushte e mjedise të këndshme për relaksimin dhe ruajtjen e shëndetit të fterrjotëve. Organizohen veprimtari atdhetare e kulturore për njohjen e historisë së vërtetë dhe relaksimin e tyre. Në këtë përvjetor, z. Agron Xhama, njërit prej themeluesëve kryesorë të këtij "Parlamenti" dhe krijuesit të pare të gazetës "Fterra jonë", nga kryetari i Shoqatës "Labëria" ( Nderi i Kombit), iu dorëzua Diploma "Mirënjohje e Labërisë".
Për nga vlerat shoqërore dhe veprimtaritë e dëndura që kryen, ky "Parlament" është konsideruar institucioni shoqëror shumë dobiprurës për Fterrën dhe vendin tonë. Në festën e 30- vjetorit të këtij kuvendi, deputeti i kësaj zone, Fisnik Sina, mes të tjerash theksoi se, "Parlamenti" i Fterrës, ka vite që është kthyer në një institucion demokratik, që duhet ta kishte zili edhe Parlamenti më demokratik e më i mirë Shqiptar i të gjitha kohërave. Dhe kjo është më se e vërtetë. Në këtë "Parlament", emri i të cilit erdhi nga një shaka e rastit, nuk sheh ndeshje mes "demash të tërbuar", me brirë të mprehur si shpata, që përleshen për të "gjakosur" e baltosur kundërshtarin e vështruar si armik të betuar, por si shok, mik, bashkëfshatar e qytetar të lirë, që kur bashkohen përqafohen me mall, festojnë, diskutojnë e marrin vendime të lira për të mirën e shoqërisë dhe të njeri- tjetrit. Në "Parlamentin" e Fterrës nuk ka "kokorozë", që për të sfiduar dhe sunduar të tjerët, "këndojnë si gjeli në majë të plehut", por ka shokë dhe miq bashkëpunues e mirëkuptues, pavarsisht ideologjisë dhe bindjeve politike, për t'i shërbyer sa më mirë vendlindjes dhe Atdheut. Anëtarët e këtij institucioni nuk nxisin grindje dhe përçarje, përçmim e urrejtje, por bashkëpunim e marrveshje për të kryer veprimtari e projekte në shërbim të fterrjotëve të sotshëm dhe të ardhshëm. Në vend të urrejtjes ushqejnë dashurinë, në vend të britmave çjerrëse përdorin këngën, në vend të premtimeve boshe, investojnë për mbajtjen e fjalës së dhënë. Aq mirë e bën punën e tij ky "Parlament" i çuditshëm, sa mund të themi me plot gojën, se prej tij ka se ç'mëson edhe Parlamenti i sotmë shqiptar.