Liverpuli me "5 yje", kalon edhe Mançester Junajtid
Publiku përshëndet trajnerin gjerman që do largohet në verë
Dy ditë pas njoftimit të Jyrgen Klopit se do të lërë stolin e Liverpulit në fund të sezonit, "reds"- at nuk shpërqendrohen dhe bëjnë detyrën e tyre. Fitojnë 5- 2 në Kupën FA ndaj Noruiçit dhe mbajnë gjallë ëndrrën për një tjetër trofe këtë sezon ( luftojnë në të katërta frontet).
Një ndeshje argëtuese u luajt në "Anfield Road" me emocionet e lamtumirës së trajnerit gjerman pas 9 vitesh. Ishte një pritje emocionuese për 56- vjeçarin nga tifozët që përpara nisjes së ndeshjes, por edhe skuadra nuk vonoi shumë përballë formacionit të "kanarinave". Darvin Nunjez i paralajmëroi rivalët e Championship- it me një goditje të shtyllës në kohën kur Kërtis Xhons kaloi vendësit në avantazh në 11' pas krosimit të debutuesit Mekkonëll. Gibson iu përgjigj 11 minuta më vonë nga këndorja e Gabriel Sarës, por Nunjez riktheu avantazhin me një finalizim të qetë pas punës së mirë të Konor Bredlit. Në fillim të pjesës së dytë Zhota shënon golin e sigurisë, ndërsa Van Dajk, i cili hyri në pjesën e dytë, u harrua krejtësisht i pamarkuar në një goditje këndi të Sobozlait, duke shënuar golin e katërt. Një kryevepër nga distanca e Borja Sainz shkurtoi sërish rezultatin, por Gravenberk shënoi në shtesë edhe golin e pestë me kokë. "Ishte një ndeshje perfekte. Shënuam shumë gola. Trajneri na tha pas lajmit se do të largohet se duhet të vazhdojmë. Na tha se kemi objektivat tanë dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Është e trishtueshme për të gjithë klubin, por në fund ai është një njeri dhe ne e respektojmë në vendimin e tij. Padyshim që largimin e tij do ta përdorim si motivim. Tani do të japim më shumë për të arritur objektivat tona", tha mesfushori Kërtis Xhons.
JUNAJTID
Mançester Junajtid preu biletën në raundin e pestë të Kupës FA, por nuk ishte një lundrim në ujëra të qeta. Pavarësisht se luanin përballë Njuportit, një skuadër që militon në Ligën e Dytë në Angli, në "Rodney Parade", skuadra që shumicën e lojtarëve i ka tifozë të "djajve" i vuri në vështirësi djemtë e Erik ten Hagut, të cilët deri në minutën e 68- të e kishin rezultatin në ekuilibër të plotë. U duk se misioni i gjigantëve të Premier Ligës do të ishte i lehtë, kur Fernandesh dhe Maino i dhuruan avantazhin e dyfishtë miqve brenda 13 minutash. Por Morris shkurtoi diferencën në pjesën e parë, ndërsa Evans barazoi shifrat në 47'. Por ëndrra e vendësve zgjati deri në 68' kur Antoni riktheu avantazhin, ndërsa Hojlund do të shënonte edhe golin e katërt në shtesë.