Kupchan: Kurti dhe Vuçiç po e vështirësojnë zgjidhjen, duke luajtur me karta nacionaliste
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po bën veprime të panevojshme provokuese, shprehet Charles Kupchan, profesor në Universitetin Georgetoën dhe ish- drejtor i Çështjeve Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara. "Nuk mendoj se kjo është në interesin e Kosovës. Nëse kthehemi në vitin 1999 dhe menjëherë pas vitit 2008, Serbia është parë si problem, Serbia është parë si vend që e vështirësonte jetën, duke nxitur telashe në veri të Kosovës dhe duke refuzuar të angazhohej në normalizimin e marrëdhënieve", thotë Kupchan në intervistën dhënë "Radios Evropa e Lirë@. Sipas tij, të dy udhëheqësit - Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç - kanë mbetur te mosmarrëveshjet e së kaluarës, në vend se të fokusohen tek e ardhmja. "Ky është edhe një tjetër rund i dialogut të ashpër mes Kurtit dhe Vuçiqit. Pavarësisht faktit se Marrëveshja e Ohrit, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, është në tryezë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë duket se po kthehen prapa dhe nuk po ecin përpara. Unë mendoj se kryeministri Kurti është duke bërë disa veprime të panevojshme provokuese. Ka qenë çështja e letërnjoftimeve, e targave, e instalimit të kryetarëve [ shqiptarë] në veri, për të cilët ka votuar një përqindje shumë e vogël e banorëve… tani u thotë serbëve se nuk mund t'i përdorin dinarët më, ekziston vetëm një monedhë zyrtare dhe ajo është euroja. A i ka të justifikueshme këto gjëra? Po, sepse çdo vend sovran duhet të jetë në gjendje të thotë se ne kemi monedhën tonë, euro… ose të ketë një autoritet përgjegjës për lëshimin e targave. Por, duket se Kurti po i ndërmerr këto veprime duke luajtur me një kartë nacionaliste - me ç'gjë e vështirëson përparimin e Marrëveshjes së Ohrit. Unë nuk mendoj se kjo është në interesin e Kosovës. Nëse kthehemi në vitin 1999 dhe menjëherë pas vitit 2008 [ kur Kosova ka shpallur pavarësinë], Serbia është parë si problem, Serbia është parë si vend që e vështirësonte jetën, duke nxitur telashe në veri të Kosovës dhe duke refuzuar të angazhohej në normalizimin e marrëdhënieve. Tani, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kritikojnë Kosovën. Pra, nga një këndvështrim i gjerë, nuk jam i sigurt se këto veprime - edhe nëse janë të justifikueshme për sa u përket të drejtave sovrane - janë të dobishme", deklaroi Kupchan.