“Rrëzohet” Komuniteti Mysliman Shqiptar, lë në fuqi ligjin për kompensimin e pronave
Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi ligjin për kompensimin e pronave, duke rrezuar kështu kërkesën e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Kujtojmë se nga KMSH në padi kundërshtohet metodologjia e përllogaritjes së kompensimit financiar për pronat ndaj të cilave ka ndryshuar zëri kadastral.
Njoftim nga Gjykata Kushtetuese:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datat 13.12.2023 dhe 12.01.2024 mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen nr. 18 ( K) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, me objekt: “Shfuqizimi i pikës 2 të nenit 1 dhe pikave 1 dhe 2 të nenit 2 të ligjit nr. 77/ 2022, datë 17.11.2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/ 2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave””, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Shfuqizimi i pikave 2, 3/ 1 dhe 3/ 2, shkronja “c”, të shtuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 223, datë 23.03.2016 nga pika 3 e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 313, datë 24.05.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 223, datë 23.03.2016 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Shfuqizimi i pikës 8 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 313, datë 24.05.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 223, datë 23.3.2016 të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar”, në pjesën që shton pikën 16/ 7 në vendimin nr. 223, datë 23.03.2016 të Këshillit të Ministrave, si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimi i zbatimit të këtyre akteve deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”! Gjykata Kushtetuese, pasi mori në shqyrtim kërkesën dhe pretendimet e parashtruara nga kërkuesi, si dhe prapësimet e subjekteve të interesuara, Kuvendit të Shqipërisë, Këshillit të Ministrave dhe Agjencisë së Trajtimit të Pronës, në përfundim të shqyrtimit të çështjes sot, më 13.02.2024, me shumicë votash dhe njëzëri për një pretendim, vendosi rrëzimin e kërkesës.