Nënës së Navalnyt i jepet ultimatum për ceremoninë mortore të të birit
Nënës së Alexei Navalny- t i është dhënë një ultimatum nga një hetues, që ose ajo pranojë një funeral të fshehtë për djalin e saj pa një lamtumirë publike brenda tri orëve, ose djali i saj do të varroset në një koloni. Zëdhënësja e Navalny- t, Kira Yarmysh, tha se Lyudmila Navalnaya refuzoi të negociojë me Komitetin Hetues, sepse "ata nuk kanë autoritetin për të vendosur se si dhe ku duhet ta varros djalin e saj". "Ajo kërkon respektimin e ligjit, i cili i detyron hetuesit të dorëzojnë trupin brenda dy ditëve nga momenti i konstatimit të shkakut të vdekjes", theksoi zonja Yarmysh. Znj. Navalnaya po këmbëngul që autoritetet "të lejojnë funeralin dhe shërbimin përkujtimor të mbahet në përputhje me zakonet". Ditën e enjte, presidenti amerikan, Joe Biden, është takuar në Kaliforni me të venë dhe vajzën e politikanit të ndjerë rus, Aleksei Navalny, tha Shtëpia e Bardhë. Navalny vdiq javën e kaluar në një burg në Arktik. Biden u takua me Yulia dhe Dasha Navalnaya në San Francisko "për t'iu shprehur ngushëllime për humbjen e tyre të tmerrshme", tha Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate, duke shtuar se Biden ka riafirmuar njoftimin paraprak se më 24 shkurt, Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione të reja kundër Rusisë për shkak të vdekjes së Navalny- t. Gjatë takimit të tij, "presidenti shprehu admirimin e tij për kurajën e jashtëzakonshme të Aleksei Navalny- t dhe për trashëgiminë e tij në luftën kundër korrupsionit dhe për një Rusi të lirë dhe demokratike", u tha në njoftim. Biden "theksoi se trashëgimia e Alekseit do të vazhdohet nga i gjithë populli në mbarë Rusinë dhe mbarë botën që e nderojnë atë dhe luftën e tij për liri, demokraci dhe të drejta të njeriut". Autoritetet ruse njoftuan më 16 shkurt se Navalny, 47 vjeç, vdiq papritur teksa po mbahej në burg. Navalny, një prej kritikëve më të zëshëm të presidenti rus, Vladimir Putin, po vuante një dënim të gjatë për akuza për ekstremizëm që janë cilësuar nga shumë si të nxitura politikisht. Nëna e tij Lyudmila Navalnaya tha të enjten se autoritetet e lejuan që ta shihte trupin e të birit, por tha se ata po tentonin ta "shantazhonin", duke i kërkuar që ta varrosë të birin në mënyrë sekrete.