Një person vret 37- vjeçarin pranë një hoteli, më pas qëllon edhe veten
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Korçën mbrëmë kur dy persona janë gjetur të vrarë në një distancë jo të largët me njëri- tjetrin. Një person, që deri orëve të vona të së djeshmes nuk është identifikuar, ka qëlluar me armë zjarri mbi një të ri dhe më pas ka vrarë edhe veten. Policia tha se të parin janë përpjekur ta mbajnë në jetë pasi e kanë transportuar shumë shpejt për në spital, por nuk ka arritur të mbijetojë, ndërsa autori ka humbur jetën në vend. Policia menjëherë ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të mësuar jo vetëm emrin e autorit të ngjarjes, por edhe shkaqet. Janë marrë disa dëshmi paraprake, ndërkohë që janë kërkuar edhe kamerat e objekteve rreth e rrotull vendit të ngjarjes.
NGJARJA
Një person ka qëlluar për vdekje me armë 37- vjeçarin zjarri Emiljano Pine dhe më pas ka vrarë veten. Mësohet se ngjarja ka ndodhur pranë një hoteli rreth orës 20: 25 të ditës së djeshme. 37- vjeçari ka humbur jetën gjatë transportimit për në spitalin e Korçës, kurse autori i dyshuar i krimit, pasi ka qëlluar 37- vjeçarin, është vetëvrarë me armën e krimit. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës armën e krimit, gëzhojat. Gjithashtu janë administruar dhe po këqyren pamjet filmike nga kamerat e sigurisë. Për këtë rast është krijuar një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për identifikimin e autorit të ngjarjes. Policia dhe grupi hetimor kanë nisur punën për të mësuar se çfarë ka ndodhur, pasi në momentet e para nuk u bë e mundur të hidhet dritë mbi asnjë detaj veç dyshimit se autori i paidentifikuar ka qëlluar mbi Pinen dhe më pas i ka dhënë fund jetës. Transportuesit për në spital të Pines, i cili u tha se kishte pak shenja jete nuk kanë mundur të komunikojnë me të, e për pasojë do të jenë dëshmitë e familjarëve dhe kamerat e hotelit dhe të lokaleve që mund të sqarojnë rrethanat konkrete të ngjarjes.