Varhelyi: Marrëdhëniet e mira nuk ndërtohen kur bllokon fqinjin
Komisioneri i BE- së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, kritikoi dje Greqinë për bllokimin në Bruksel të hapjes së kapitujve për Shqipërinë, në kuadër të rrugës drejt anëtarësimit. Nga Tirana ku u mbajt samiti BE- Ballkani Perëndimor, Varhelyi tha se fqinjësia e mirë mes shteteve është e rëndësishme, por theksoi se nuk mundet të krijohen marrëdhënie të mira, duke bllokuar shtetin fqinj, një kritikë kjo direkte për Greqinë. “Ne jemi të dakordësuar në Bruksel për faktin që Shqipëria është gati për të hapur negociatat për grup- kapitullin e parë dhe BE do duhet që të ketë mundësinë ta marrë këtë vendim. Sado teknik që është si proces dhe që është thjesht hapi i radhës, nuk e kuptoj dot pse nuk e marrim ne këtë vendim. Edhe pse e kuptoj rëndësinë e fqinjësisë së mirë, por nuk mund të ndërtohen marrëdhënie të mira me fqinjin nëse e bllokon tjetrin të ecë përpara. Gjithsesi, ne po përpiqemi të ndihmojmë dhe shpresoj shumë që në muajin në vijim do të kemi atë takimin ose konferencën tjetër ndërqeveritare, në mënyrë që të kalojmë te negociatat e vërteta, sepse ne dëshirojmë që të hapim negociatat për grup- kapitullin e parë që janë të drejtat themelore, sundimi i ligjit dhe ndoshta aty mund t’i diskutojmë këto të drejta themelore në mënyrë të gjerë pasi të jenë hapur vetë negociatat”, - u shpreh Varhelyi. Në nëntor, Greqia bllokoi Shqipërinë në BE për të hapur grup- kapitujt e parë të negociatave duke mos nënshkruar letrën e përbashkët të 27 vendeve anëtare, që në fakt kërkohej mbështetje unanime.