Fondi i Komunitetit, Veliaj: Po rritet vlera e pallateve, aplikoni për të përfituar
Fondi i Komunitetit po ndihmon në rritjen e vlerës së pronës përmes rregullimit të pallateve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u bën thirrje qytetarëve që të aplikojnë për të përfituar nga mbështetja financiare.
"Punojmë bashkë për një qytet më të bukur dhe funksional! Me projekte fituese dhe thirrjen e re për aplikime, Fondi i Komunitetit po ndihmon në rritjen e vlerës së pronës përmes rregullimit të pallateve. Me financim 50% nga Bashkia e Tiranës dhe kontributin e banorëve, po ndërtojmë një ambient më të përshtatshëm për të gjithë. Aplikoni tani në ' Tirana. al' për të bërë ndryshimin në komunitetin tuaj", thekson Veliaj.
Banorët që jetojnë në pallate të ndërtuara para viteve ' 90, por jo vetëm, përmes Fondit të Komunitetit mund të përfitojnë projekte për rregullimin e fasadës, termoizolimit, por dhe për instalimin e ashensorëve.
Për projektet që miratohen gjysmën e shpenzimeve e paguajnë banorët, ndërsa gjysmën tjetër Bashkia e Tiranës. Administratorët e pallateve, të zgjedhur nga asambleja e banorëve dhe të certifikuar nga bashkia janë ata që kryejnë procedurat, që nga marrja e dakordësisë nga të paktën 75% e banorëve. Bashkia ka ndryshuar udhëzimin, çka mundëson trajtim të veçantë për disa kategori. Persona që ekzistojnë në certifikatën e pronësisë që janë pensionistë, persona me aftësi të kufizuar apo me ndihmë ekonomike përfitojnë 100 për qind të grantit. Kjo ka bërë të mundur dhe rritjen e numrit të aplikimeve. Fondi i Komunitetit ka nisur të aplikohet që prej 2017- s.