Bundo: Ruka, pionier dhe shërbëtor i arsimit, akademik i nivelit europian
Në një ceremoni të organizuar pranë Universitetit "Luarasi" ishte i pranishëm edhe profesor Sherif Bundo, i cili vlerësoi Et'hem Rukën si pionier dhe shërbëtor të arsimit. "I lexova dy librat e Rukës me një frymë. Kur lexova librin me imagjinatë të profesorit, m'u duk vetja sikur isha në fund të detit dhe doja të dilja në sipërfaqen e ujit. E kam përjetuar me të vërtetë, komplimentet e mia. Nesër ( sot) është ' 7 Marsi', dita simbol e arsimit. Unë nuk jam mësues në origjinë, por jam bërë mësues për shkak të një eksperiencë 40vjeçare në botën e arsimit. Tashmë, kjo ditë është kthyer në një ditë simbol që punojmë në arsim. Nëse unë do të kërkoja dhe do të gjeja një njeri simbol nga njerëzit që jetojnë për arsimin e sotëm shqiptar, pa asnjë lloj dyshimi emri i tij do të ishte Et'hem Ruka.
Tri gjëra sipas meje e bëjnë një njeri që të arrijë majat në çdo fushë: 1- Të njohë jetën e vërtetë, të njohë vuajtjet, të njohë vështirësitë, t'i njohë jetës të gjitha
dimensionet, nga ato më të vështirat, deri tek ato dimensionet që ndonjëherë i quajmë luks. Nuk ka motiv më të fortë për një njeri që vjen nga provinca për të eksploruar kryeqytetet. Ruka është një i tillë. 2- Është një motiv i fortë, dashuria për dijen, kulturën, për librin dhe në mënyrë të veçantë cdo dashuri për punën. 3- Të ketë vullnet në hekurt.
Unë te Ruka i gjej të trija.
Takim me vetveten është takim i një shërbëtori të madh të arsimit me të gjithë ne. E'them Ruka është një nga pionierët e arsimit. Është një njeri që ia njeh organizmit të gjithë metabolizmin, gjithë anatominë, që nga qelizat, nga proceset mikroskopike që ndodhin, në çdo klasë, në çdo shkollë, deri tek organet e këtij organizmi, te kryevepra e materies, te truri, te Ministria e
Arsimit dhe institucionet kërkimore të arsimit shqiptar", u shpreh Sherif Bundo.
Sipas profesor Bundos, Et'hem Ruka është një akademik i realizuar, pasi ka arritur deri në nivelet e një akademiku evropian. "Nga nxënës fshati, në doktor shkencash në Francë. Nga mësues fshati, në ministër i Arsimit dhe Shkencës. Nga nxënës i Shkollës Pedagogjike të Gjirokastrës, në profesor dhe akademik i nivelit Evropian. Ruka shkruan dhe shpjegon me dashuri të madhe për jetën, Dashuri që kalon përmes vështirësive. Këto janë dashuri të vërteta. Profesor Ruka përshkruan me sinqeritet maksimal plot emocion vështirësitë e studimeve në 8- vjeçare, në shkollë të mesme, në universitet, apo vështirësitë e të studiuarit jashtë që vetëm një emigrant e kupton se çdo të thotë të endesh ashtu i vetëm nëpër metrotë e Parisit, sidomos kur shkon për herë të parë", tha ndër të tjera profesor Bundo.