Pavarësisht kritikave, Begaj dekreton ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”
“Do ta çojmë në Gjykatë Kushtetuese”, pas dekretit reagon Jorida Tabaku: Hap pas në procesin e përafrimit me BE
Presidenti Bajram Begaj dekretoi dje ndryshimet në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”.
Për shkak se ligji u shoqërua me kritika në fazën e shqyrtimit dhe miratimit të tij, sidomos nga grupet përfaqësuese të organizatave mjedisore, Presidenti ndërmori një sërë konsultash dhe zgjeroi procedurën e shqyrtimit me përfshirjen dhe tërheqjen e opinioneve nga grupet e interesit, por edhe nga ekspertë kushtetues. Lidhur me shqetësimet e ngritura për këtë procedurë shqyrtimi, Presidenca sqaron se organizatat e shoqërisë civile shohin te ligji përplasje me standardet dhe udhëzuesit e IUCN- së ( International Union for Conservation of Nature). IUCN- ja është një rrjet i madh dhe i rëndësishëm ndërkombëtar i organizatave mjedisore me autoritet global për sa u takon çështjeve të mbrojtjes së mjedisit. Standardet dhe udhëzuesit e IUCN- së nuk kanë fuqinë juridike të traktateve apo marrëveshjeve ndërkombëtare dhe si të tilla, nuk mund të përdoren për shqyrtimin e përputhshmërisë kushtetuese të ligjit nr. 21/ 2024. Sipas Presidencës, organizatat e shoqërisë civile shohin te ligji risk potencial për mbrojtjen e mjedisit, i cili mund të shkaktohet nga zbatimi i gabuar i dispozitave të tij. Ekspertët kushtetues të thirrur në konsultë dhe Institucioni i Presidentit të Republikës nuk e shohin këtë pretendim si çështje që i përket procedurës për shqyrtimin e kushtetutshmërisë. Për probleme që mund të konstatohen gjatë implementimit të ligjit mund të vihen në lëvizje mekanizma të tjerë ligjorë mbrojtës, si nga organet eprore/ mbikëqyrëse, ashtu edhe nga organizatat mjedisore. Shqyrtimi i kushtetutshmërisë që bën Institucioni i Presidentit është shqyrtim abstrakt dhe i palidhur me skenarë të
“Dekretimi Ligjit të Zonave të Mbrojtura është një mundësi e humbur për ta rikthyer ligjin për një debat publik dhe proces ligjor të rregullt! Ai përbën një hap pas në procesin e përafrimit me BE, kundër Kushtetutës dhe kundër trashëgimisë sonë natyrore. Tanimë ligji do shkojë në GJK”
supozuar veprimi. Organizatat e shoqërisë civile shohin te procedura e shqyrtimit parlamentar të projektligjit cenimin e dispozitave të Rregullores së Kuvendit për përfshirjen e Këshillit të Ministrave në shqyrtimin e nismave ligjore parlamentare dhe për konsultimin publik. Kritikat lidhur me mënyrën e zbatimit të Rregullores së Kuvendit apo me mënyrën e organizimit të konsultimit publik janë lëndë e brendshme e Kuvendit dhe mund të trajtohen vetëm prej tij në ushtrimin sovran të kompetencave të veta. Institucioni i Presidentit të Republikës ka detyrë të mbikëqyrë vetëm respektimin e procedurës kushtetuese në procesin ligjvënës. Organizatat e shoqërisë civile kanë pretenduar përplasje, pa referenca konkrete, me dy direktiva të BE- së ( direktiva e Këshillit 92/ 43/ EEC dhe direktiva e Parlamentit Evropian dhe Këshillit 2009/ 147/ EEC). Institucioni i Presidentit të Republikës nuk identifikoi përplasje dispozitash me asnjërën nga këto dy direktiva. Zbatimi i direktivave mund të bëhet i plotë edhe në kushtet e këtij ligji.
REAGIMI
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, paralajmëroi dje se ligjin për Zonat e Mbrojtura, që u dekretua nga Presidenti, do ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese. Në një reagim në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se dekretimi i këtij ligji është një mundësi e humbur për ta rikthyer ligjin për një debat publik dhe proces ligjor të rregullt. Sipas saj, dekretimi përbën një hap pas në procesin e përafrimit me BE, kundër Kushtetutës dhe kundër trashëgimisë sonë natyrore. “Dekretimi Ligjit të Zonave të Mbrojtura është një mundësi e humbur për ta rikthyer ligjin për një debat publik dhe proces ligjor të rregullt! Ai përbën një hap pas në procesin e përafrimit me BE, kundër Kushtetutës dhe kundër trashëgimisë sonë natyrore. Tanimë ligji do shkojë në GJK”, - shkroi Tabaku në rrjetin social ‘ X’. Edhe kreu i deputetëve demokratë, Gazmend Bardhi, reagoi dje pas dekretit sipas të cilit është një ligj që shkatërron zonat e mbrojtura, ndërsa dekreti që i bëri Presidenti është një provë se për “kreun e shtetit prevalon interesi korruptiv dhe jo interesi i qytetareve shqiptarë”. Bardhi thekson se Presidenti nuk guxon të ngrihet në lartësinë e detyrës, si garant i Kushtetutës. Deputeti demokrat shprehet se që nga emërimi në detyrë, Presidenti i Republikës ka kthyer për rishqyrtim vetëm një ligj, ‘ që lidhej me interesat personale të tij’. “Ndërkohë një shumësi ligjesh, që prekin interesin e qytetarëve, që bien ndesh me Kushtetutën, ligje me porosi klienteliste apo korruptive janë miratuar me kokën ulur nga Presidenti i Republikës, duke u vetëshpallur si degë e ekzekutivit dhe duke humbur rolin e tij kushtetues”, - tha Bardhi. Ligji për zonat e mbrojtura u votua në Parlament me 74 vota pro në muajin Shkurt. Ky ligj u hap rrugë ndërtimeve ekologjike në zonat e mbrojtura, në funksion të ekonomisë së vendit. Ndryshimet në ligj u kundërshtuan nga shoqëria civile.