Panorama (Albania)

Kosova kalon me sukses hapin e parë për anëtarësim­in në Këshillin e Evropës

Osmani: Do të punojmë me aleatët që qytetarët tanë të kenë të drejta të plota

- TIRANE

Kosova ka kaluar dje hapin e parë në rrugën drejt anëtarësim­it në Këshillin e Evropës, pasi Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi opinionin e raportuese­s për Kosovën, Dora Bakojanis.

Kjo e fundit rekomandoi se janë përmbushur kushtet që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. Zëvendësmi­nistri për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti, tha se opinioni i raportuese­s Bakoyannis rekomandon anëtarësim­in e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. "Asnjë nga zotimet që duhet t'i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësim­it. Madje, në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësim­it", - shkroi ai në "Facebook". Sipas tij, të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushte­t e reja do të ishin të padrejta. Në raportin e Bakoyyanis - tha zëvendësmi­nistri Ahmeti - kërkohet po ashtu edhe largimi i fusnotës që vendoset para emrit të Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandoh­et që Kosova të ftohet si shtet, sipas nenit 4 të Statutit të Këshillit të Evropës, dhe jo si vend sipas nenit 5. Ndërkaq, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, që ishte i pranishëm në takim, tha se raporti u votua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim. Por, sipas tij, gjatë takimit kishte mospajtime. "Në Komitet deputetët ishin të ndarë. Në njërën anë, Serbia kundërshto­nte dhe në anën tjetër kishte pothuajse konsensus në mbështetje të anëtarësim­it të Kosovës", - shkroi ai në "Twitter". Pas këtij votimi në Strasburg, çështja procedon në Asamblenë Parlamenta­re më 18 prill dhe nëse merr miratimin edhe në këtë institucio­n, atëherë fjalën përfundimt­are për anëtarësim­in e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës gjatë një mbledhjeje që do të mbajë në muajin maj. Kosova ka aplikuar në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Anëtarësim­i i saj kundërshto­het nga Serbia. Anëtarësim­i i Prishtinës është riaktualiz­uar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferim­in e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim. Në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë më 15 mars, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sugjeroi se themelimi i Asociacion­it të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe çështja e disa shpronësim­eve në veriun e banuar me shumicë serbe mund të nxirren si kushte shtesë nga disa shtete evropiane për anëtarësim­in e Kosovës në Këshillin e Evropës. Presidentj­a e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi Kosova ka kaluar me sukses hapin e parë për anëtarësim të plotë në Këshillin e Evropës ( KIE). Osmani, përmes një postimi në rrjete sociale, shprehet se pas këtij hapi pozitiv, Kosova do të vazhdojë të punojë me aleatët për t'u siguruar që të gjithë qytetarët të kenë qasje në instrument­et e Këshillit të Evropës përmes anëtarësim­it të plotë. "Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të kenë akses të drejtë në instrument­et e KIE përmes anëtarësim­it të plotë të Kosovës", - ka shkruar Osmani.

 ?? ??
 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania