Panorama (Albania)

Gazetari që fiksoi zbarkimin e “Vlorës” në Bari: Si u trajtuan shqiptarët në ‘ 91

Giovanni Ruggiero tregon lidhjen me Shqipërinë që nga tregimet e të atit, te trazirat e ‘ 97 “I pashë ata të rinj të lodhur, të dërrmuar, të etur, të rraskapitu­r, nën një diell përvëlues. Në ditët e para u përdorën mbi ta edhe shkopinjtë e gomës”

- RUBENS SHIMA Vëmendje e cila më pas

“Në agimin e datës 8 gusht 1991, anija shqiptare ‘ Vlora’, e nisur nga Durrësi një mbrëmje më parë, mbërriti në portin e Brindizit.

Në bordin e saj, të ngjeshur në mënyrë të pabesueshm­e, gjendeshin më shumë se njëzet mijë shqiptarë që po iknin nga një regjim i egër në ditët e veta të fundit. Pas vdekjes së Enver Hoxhës, pasues i tij ishte bërë Ramiz Alia”. Kështu e rrëfen fotoreport­eri i gazetës italiane “Avvenire”, Giovanni Ruggiero, zbarkimin e refugjatëv­e shqiptarë në vitin 1991. Ato ditë ndoqi kalvarin e këtyre njerëzve, duke provuar ndjesi të forta profesiona­le dhe njerëzore.

Për herë të parë koleksioni i fotografiv­e të realizuara prej tij zbulohet përmes “Fototeka. al”, duke na rikthyer pas në kohë dhe duke reflektuar për këtë ngjarje, që do të trondiste Shqipërinë e lodhur nga vitet e gjata të diktaturës. Në një intervistë për “Panorama”, Ruggiero tregon njohjen e tij me Shqipërinë jo vetëm përmes eksodit, por edhe në vizitat që pasuan gjatë fillimeve të demokracis­ë, deri sot.

Ju jeni mik i vjetër i Shqipërisë dhe si gazetar keni ndjekur me kujdes këtë vend në tranzicion­in e tij të trazuar pas rënies mjerane të regjimit komunist. Si lindi kjo lidhje e veçantë?

Kur isha fëmijë koleksiono­ja pulla postare. Kisha dy nga Shqipëria, disi të vjetra, 2 dhe 50 qindarka, dhe ato paraqisnin, me vizatim të thjeshtë, kalanë e Gjirokastr­ës dhe kështjellë­n e Rozafës në Shkodër, legjendën e trishtë të së cilës do ta mësoja më vonë. Përpiqesha të mësoja sa më shumë për vendet e pullave që zotëroja, por për Shqipërinë nuk gjeja dot asgjë. Babai më fliste për të. I ri kishte qenë ushtar në luftën e frontit greko- shqiptare.

Por, kujtimet e tij ishin të vagullta. Më vonë mësova se shqiptarët i kishin ndihmuar ushtarët tanë pas kapitullim­it të Italisë. I thërrisnin “Pepino”. Por im atë u zu rob nga gjermanët dhe u dërgua në Dakau. Shqipëria mbeti kështu një mister, por kureshtja për të nuk më ndahej. Më pas ky mister m’u zbulua në mënyrë dramatike, me zbarkimin e “Vlorës” në Bari…

Arkivi digjital “Fototeka” ka privilegji­n të botojë serinë e këtij zbarkimi të gushtit 1991. Çfarë ndjesish kishit ju si korrespond­ent i posaçëm i gazetës “Avvenire” kur u përballët me ata njëzet mijë të dëshpëruar?

Mëngjesin e 8 gushtit 1991, kur u nisa nga Roma me ngut për në Bari ku ishte ankoruar “Vlora”, u emocionova. Para syve kisha një copëz të dëshpëruar të Shqipërisë: të vogël, pikërisht si një pullë poste. I pashë ata të rinj të lodhur, të dërrmuar, të etur, të rraskapitu­r, të detyruar të rrinin nën një diell përvëlues. Në ditët e para u përdorën mbi ta edhe shkopinjtë e gomës. Ishte e tmerrshme. Priremi të besojmë se gazetari është cinik. Nuk është gjithmonë kështu. Isha i tronditur. Ato ditë qenë mjaft të dhimbshme për mua. Faktet që tregon, në një farë mënyre, mbeten brenda teje. I kalova ato ditë duke vrarë mendjen se nga çfarë ferri kërkonin të shpëtonin që largoheshi­n kështu. Ndjeva të njëjtën dhimbje vitin pasues, kur ndoqa në Palermo vrasjet e gjyqtarëve Falcone dhe Borsellino. Fletoret e mia të asaj dite mezi lexohen nga njollat e lotëve që nuk i mbaja dot. Më pas tragjedia u përsërit të Premten e Madhe të 1997- s, kur “Katër i Radës” u fundos në det përballë Brindisit për shkak të një përplasjej­e. Unë isha atje dhe kur intervisto­va Aleksandri­n, një nga refugjatët që kishte humbur gruan e re dhe foshnjën gjashtëmua­jshe Kristi, ai mbështeti kokën mbi supin tim dhe qau. Ndoshta i kujtoja babain e tij, që në Vlorë ende nuk e dinte nëse ishin ende gjallë.

Në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, Italia priti dhe integroi qindra mijëra shqiptarë, por me fatkeqët e “Vlorës” u gjend e papërgatit­ur dhe e frikësuar. Si e gjykoni pas kaq vitesh sjelljen e shoqërisë dhe të politikës ndaj atyre

refugjatëv­e?

Italia pati një frikë të pamotivuar që ushqehej nga qeveria jonë, për të pasur një justifikim për dëbimin e tyre. Ata u përpoqën t’i paraqisnin refugjatët si njerëz të rrezikshëm, madje edhe si “të pagdhendur”, të gatshëm për çdo ligësi. Po, është e vërtetë, u gjetën ca kallashnik­ovë, por ato u përkisnin policëve shqiptarë, të cilët në Durrës, në vend që të ndalonin të arratisuri­t, u bashkuan me ta. “Avvenire”, me artikujt e mi, nuk e përkrahu tezën e qeverisë. Italia nuk tregoi kurrfarë humanizmi. Ishte një bllokadë e vërtetë detare. “Caritas” dhe organizata të tjera ndërkombët­are u ngritën kundër. Presidenti i Republikës, Francesco Cossiga, kërkoi dorëheqjen e kryebashki­akut të Barit, sikur çështja varej vetëm prej tij. Vendi im nuk dinte çfarë të bënte, madje qeveria u përpoq t’i “blinte”, duke i bindur refugjatët me 50 mijë lireta, një bluzë apo pantallona të shkurtra të ktheheshin në vendlindje. Ishte dëshpërues­e dhe e turpshme. Shkrova që ëndrra shqiptare filloi me mbathje dhe përfundoi me pantallo

na të shkurtra Bermude me lule. Ndërsa shoqëria u hapi dyert këtyre fatkeqëve. Ata që arritën të arratisesh­in nga stadiumi komunal, gjetën mikpritje dhe më

pas edhe punë.

Dhe kështu nisi kjo vëmendje ndaj Shqipërisë...?

 ?? ??
 ?? ?? REFUGJATËT SHQIPTARË TË ANIJES "VLORA" NË PORTIN E BARIT. GIOVANNI RUGGIERO, 1991
REFUGJATËT SHQIPTARË TË ANIJES "VLORA" NË PORTIN E BARIT. GIOVANNI RUGGIERO, 1991

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania