Panorama (Albania)

Mesi: Pa Botërorin lija kombëtaren

"Pleshti" rrëfen momentet pikante të karrierës: Nuk doja të ikja nga Barça, ndodhi shpejt

-

Lionel Mesi ka folur sërish për karrierën e tij në futboll në podcastin "Big Time". Ai rishikoi jetën e tij, që kur mbërriti në Barcelonë dhe si u largua nga klubi katalanas, duke përsëritur për të disatën herë se nuk e kishte menduar asnjëherë largimin. Argjentina­si ka folur dhe për të ardhmen e tij në futboll, duke pasur pak a shumë të njëjtin mendim me rivalin e tij të madh, Kristiano Ronaldon. Ai ka theksuar se do të luajë deri kur "gjunjët" t'ia lejojnë. Mes të tjerave Mesi ka zbuluar dhe faktin se do të ishte tërhequr nga futbolli në rast se nuk do të kishte fituar kampionati­n botëror në Katar.

Largimi nga Barcelona

"Largimi nga Barcelona dhe transferim­i në Paris për te PSG- ja ishte shumë i vështirë. Ishte disi i papritur. Po bëja shumë mirë në Barcelonë dhe kisha planifikua­r të qëndroja atje, nuk doja të largohesha. Nuk isha i përgatitur të largohesha, gjithçka ndodhi shumë shpejt. Në Paris më duhej të rindërtoja jetën time nga një ditë në tjetrën. U njoha me një ligë tjetër, një klub tjetër, një kulturë tjetër... Ishte një ndryshim që nuk e kërkonim dhe prandaj ishte e vështirë në fillim. Ne kishim një jetë që jetonim në Barcelonë dhe familja ishte përshtatur më së miri me mënyrën e jetesës aty. Në fillim ishte shumë e vështirë".

Autokritik­a- "Që në moshë të vogël kam qenë gjithmonë autokritik ndaj vetes, në fakt jam ende. Të gjithë janë të lirë të japin mendimin e tyre, kur kritikat janë për futbollin nuk më shqetëson. Unë jam i pari që merrem me veten; nuk kam nevojë që dikush të më thotë kur i bëj gjërat siç duhet apo jo".

Botërori me Argjentinë­n

"Fakti që u shpallëm kampionë bote ishte diçka magjike për ne, për familjet tona dhe të gjithë vendin. Është diçka që do ta kemi përjetë me vete. Fitimi i trofeut në Katar kishte vlera të jashtëzako­nshme për mua. Me siguri që do të isha larguar nga kombëtarja po të mos ishim shpallur kampionë bote, por për fat ky trofe erdhi në Argjentinë, i dhamë një tjetër titull Argjentinë­s. Unë kisha bërë një lëvizje duke ndryshuar klubin, por do të kishte shumë ndryshime të tjera".

E ardhmja- "Në momentin që do të ndihem që nuk jam gati për të luajtur siç jam mësuar, në momentin që do të jem i bindur se nuk mund të jap më fryte në fushë, që nuk po i ndihmoj shokët e skuadrës, do të bëj një hap pas pa menduar për moshën. Nëse ndihem mirë, do të vazhdoj të garoj, sepse është ajo që më pëlqen. Kur të dal në ' pension', nuk e di se çfarë do të bëj. Përpiqem ta shijoj çdo ditë pa menduar më tej. Shpresoj të vazhdoj të luaj, gjë që më pëlqen edhe për pak kohë. Nuk kam ende asgjë të qartë, kur të vijë koha do të përpiqem të ndjek rrugën drejt asaj që dua".

I ndjeshëm- "Është e vështirë të them diçka që më bën të qaj, por jam shumë njeri i ndjeshëm dhe i thjeshtë. E konsideroj veten një person me zemër të madhe dhe të mirë".

Sportet- "Më pëlqejnë shumë të gjitha sportet. Më pëlqen tenisi, padel, basketboll­i. Tani në Amerikë jam duke mësuar edhe futbollin amerikan. Më përpara nuk i kushtoja fare rëndësi. Po e kuptoj më shumë që e kam afër. Në tërësi më pëlqejnë shumë lloje sportesh. Muzika? Dëgjoj shumë lloj muzike. Dëgjoj gjithçka, por as nuk kërcej as nuk këndoj".

Fëmijëria- "Pata një fëmijëri të bukur kur isha në Rosario, i rrethuar nga miqtë dhe familjarët. Bëja gjithmonë atë që kisha më shumë dëshirë: të luaja futboll. Pastaj pata mundësinë për të jetuar në Spanjë kur isha shumë i vogël. Ishte shumë e vështirë sepse gjithçka për mua ishte e re. Duhet të nisja gjithçka nga zero, miqtë, shkollën. E vërteta është që Barcelona më trajtoi mjaft mirë. Ishte eksperienc­ë e jashtëzako­nshme".

Sekreti- "Nëse një lojtar është në nivel profesioni­st kjo ndodh sepse ka talent për ta bërë këtë dhe unë luftova shumë. Sigurisht që kur arrin në këtë nivel duhet të punosh për ta mbajtur dhe të forcosh talentin me shumë punë. Përpiqem që të kujdesem për trupin, të ushqehem shëndetshë­m, të pushoj dhe të bëj ushtrime. Futbolli tani është shumë fizik dhe ka shumë ndeshje. Prandaj duhet kujdes".

Futbolli- "Pas familjes, futbolli është gjëja më e rëndësishm­e në jetën time. E konsideroj profesion dhe unë kam bërë atë që kam ëndërruar gjithmonë. Dua që të punoj për të qenë gjithmonë në 100% të formës time. Me sakrificë, me mentalitet dhe besim mund gjithçka mund të arrihet në futboll. Sigurisht që rruga nuk është aspak e lehtë".

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania