Rizvani del në stërvitje, miqësore me Flamurtarin para Bullgarisë
Teuta vijon me përgatitjet, por edhe po përforcon ekipin, ndërkohë që janë katër afrime të reja dhe priten të tjera. Nga dita në ditë, klubi durrsak do marrë formën e vet me afrimet apo dhe largimet e deritanishme. Vendet e mbetura bosh nga Lukiç, Xhonatan, Kadriu dhe Dias po mbushen me lojtarët si Raboshta, Borshi apo dhe R, që pritet të nënshkruajë me "djemtë e detit". Ndryshe nga dita e parë e grumbullimit, ku në stërvitje nuk doli kapiteni Rizvani, dje ai ka qenë pjesë e grupit në stërvitje. Në pritje të përfundimeve të bisedave me drejtuesit, "ujku" ka zbritur në fushë me pjesën tjetër të ekipit për të vazhduar stërvitjen në grup. Rizvani sezonin e shkuar nuk gjeti shumë hapësira falë dhe formës mjaft të mirë të shtatlartit vlonjat Moçka, por këtë sezon me sa duket Rizvani do të jetë protagonist me ekipin e Ahmatajt. Megjithatë, më parë duhet që gardiani të firmosë me klubin. Gjithashtu, vihet re mungesa e Lenës, i cili do të udhëtojë për në Durrës ditën e premte për të mbyllur bisedimet me presidentin. Lena nuk e ka vendosur ende se ku do të luajë sezonin e ardhshëm, por ka mohuar zërat se mund të shkojë tek ekipi i Laçit pas disa aludimeve që e çonin atë tek ekipi kurbinas. Në ditët në vijim do të vendoset edhe data kur ekipi do të niset për Bullgari për të vazhduar fazën përgatitore. Mësohet se ekipi do të qëndrojë për dhjetë ditë në Bullgari e më pas do të rikthehet në Durrës. Miqësorja - Ndërkohë, ditën e shtunë, në Durrës do të zhvillohet një ndeshje miqësore mes Teutës dhe Flamurtarit, ku trajneri Magani do të rikthehet në këtë qytet si "ish". Jeton Rexhmati