Panorama Sport (Albania)

Lahm: Triumfojmë në Europë me Karlo Ançelotin

"Mua, Riberisë, Robenit e Alonsos s'na ka mbetur më kohë. Ta ngremë edhe një herë"

- Përgatiti: ANDROKLI DRALO

Për Filip Lahmin, viti 2018 do të përkojë me varjen e këpucëve në gozhdë. Por ndoshta jo vetëm për kapitenin, por edhe për disa prej yjeve në moshë të Bajernit. Nga Çikago, atje ku Bajerni ndodhet prej pak ditësh për turin amerikan, mbrojtësi ka ndezur motorët, sepse ai ka një objektiv të madh këtë sezon: "Karrierës sime nuk i kanë mbetur edhe shumë vite. Dhe objektivi im i madh është pa dyshim ta fitoj edhe një herë Ligën e Kampioneve. Dëshira është shumë e madhe". Nga konferenca e parë për shtyp në SHBA, kampioni tha se kërkon që të përjetojë edhe një herë emocionet e triumfit në "Wembley", si në vitin 2013. Lahm sot është 32 vjeç, në vitin 2018 do të jetë 34. Sido që të shkojë, kur ai të tërhiqet nga futbolli, do të vlerësohet si një prej legjendave më të mëdha të Gjermanisë në këtë sport.

Brezi i artë - Por ai është i motivuar për t'i shtuar për herë të fundit trofeun më të prestigjio­z për klube vitrinës së tij, i cili do të ishte gjithashtu i fundit edhe për veteranët e tjerë në Mynih, Frenk Riberi (33 vjeç), Arjen Roben (32 vjeç) dhe Ksabi Alonso (34 vjeç), të cilëve nuk u ka mbetur shumë kohë për të bërë edhe një herë urrá në Europë. "Kjo vlen edhe për disa lojtarë të tjerë të Bajernit që janë në një moshë të caktuar dhe po i afrohen fundit të karrierës. Ne jemi të vjetër tashmë, por kjo nuk do të thotë se ne nuk mund të luajmë ende në nivele të larta". Bajerni po bëhet gati të përcjellë një brez, gjithsesi kapiteni e shikon të ndritur edhe të ardhmen pas tyre. "Pozitivja është se kemi një brez me moshë mesatare ideale. Nuk kemi vetëm futbollist­ë të vjetër apo të rinj, por kemi edhe atë me moshë të mesme si Tomas Myler, Zherom Boateng apo David Alaba. Për moshën që kanë, ata kanë akumuluar eksperienc­ë të madhe", thekson Lahm.

Humels - Në fund dhe një vlerësim për blerjen e re në mbrojtje, Mats Humelsin, të cilin Bajerni e transferoi nga Dortmundi për 35 milionë euro këtë verë: "Mats është një lojtar me shumë përvojë. Ai ka luajtur më parë me Bajernin dhe është një rikthim. Me eksperienc­ën që ka, do të jemi të sigurt në mbrojtje dhe është një element shumë i rëndësishë­m për të ardhmen".

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania