Muça: Tirana ishte më mirë një vit më parë
Bakaj: Bardheblutë e përgatisin derbin nën presion, ndaj s'fitojnë
Shkëlqim Muça ka rikujtuar edhe një herë Tiranën e një sezoni më parë, në lidhje me skuadrën aktuale në këtë start sezoni. Për ish-trajnerin e skuadrës kryeqytetase, bardheblutë kanë qenë një ekip më cilësor në ndeshjet e para të edicionit të kaluar, sa u përket lojtarëve që kanë qenë të gatshëm për të zbritur në fushë, në krahasim me skuadrën aktuale.
Diferenca - Muça e ka vendosur theksin tek emrat që bardheblutë kanë pasur në dispozicion në sezonin e shkuar. Për shumë arsye, Tirana e këtij starti sezoni nuk ka qenë më e mira në fushën e lojës dhe kjo gjë është pranuar edhe nga drejtuesit e skuadrës kryeqytetase, apo edhe vetë trajneri Daja, i cili ka treguar gjithmonë se është në pritje të plotësimit të kontingjentit. "Tirana e vjetshme ka qenë më e mirë se kjo në këtë startsezoni. E them këtë, nisur nga lojtarët që kanë zbritur në fushë. Fukui, Gilman Lika dhe Gjergji Muzaka janë futbollistë që mund të bëjnë diferencën, ndryshe nga këta që janë aktualisht te Tirana në këtë fillimviti", është shprehur Muça në emisionin "Rubrika Sportive" në TVSH.
Të kuqtë - Gjatë analizës së tij për derbin, ai ka folur edhe në lidhje me të kuqtë dhe, sipas tij, është e njëjta logjikë edhe për Partizanin. "As ky Partizan nuk është më i mirë se ai i sezonit të kaluar. Është më i dobët", ka vijuar Shkëlqim Muça.
Derbi - "Edhe në kohën kur luanim ne, derbi ishte një përballje që nuk varej nga forma aktuale e ekipit apo renditja. Megjithatë, në periudha të ndryshme, ka pasur edhe luhatje të formës së ekipeve në këtë përballje. Një pikë nuk është asnjëherë pozitive për ekipet që janë pretendente. Përkundrazi, duhet konsideruar si humbje, pasi u jep shans rivalëve direkt të shkëputen", ka deklaruar Shkëlqim Muça.