Barça përgatitet për Gladbahun, pa Leo Mesin fitojnë më shumë
Një dëmtim që do ta mbajë jashtë fushave për 3 javë e ka privuar Barcelonën nga lojtari më i mirë i saj edhe në një ndeshje të rëndësishme si ajo ndaj Borusia Mënshengladbahut në Champions, nesër në Gjermani. Por jo domosdoshmërish ky është një lajm i keq për tifozët katalanas, që duan spektaklin dhe lojën e bukur, po aq sa fitoret. Lionel Mesi ka fituar 4 herë Championsin me Barcelonën (2006, 2009, 2011 dhe 2015) dhe, gjatë këtyre sezoneve, ai ka munguar në shumë sfida për shkak të dëmtimeve. Statistikat tregojnë se pa talentin blaugrana në fushë, formacioni spanjoll ka përqindje më të lartë fitoresh, sesa me numrin 10 në lojë. Në 98 ndeshje të Ligës së kampioneve me mesin në ekip, Barcelona ka fituar 60 përballje, ka barazuar 23 dhe ka humbur 15. Ndërkohë kur "Pleshti" ka munguar, katalanasit kanë fituar 22 nga 34 sfida. Përqindja që bën diferencën është mbi 3 pikë, por tregon se ndoshta katalanasit përqendrohen më shumë te loja kolektive pa shpikësin e aksioneve e golave unik. Sa u përket golave, Barcelona ka shënuar 215 në 98 ndeshje me Mesin dhe 61 (34 ndeshje) pa të. Por përpara porte, katalanasit janë më efikas me "Pleshtin" në fushë (shënojnë 2.2 gola për ndeshje) sesa kur ai mungon (1.8).