Panorama Sport (Albania)

REPORTAZH Milan-Juventus në sytë e tifozëve shqiptarë

- Nga Milano, LEAR MAÇI

Për shumë tifozë shqiptarë të rritur në vitet '90 me pasionin për skuadrat italiane, pa dyshim sfida Milan-Juventus ka qenë emblema e një rivaliteti historik. Në atë periudhë, Seria A ishte pa diskutim kampionati më i ndjekur dhe më i bukur në botë, "parajsa e yjeve", ku lojtarë si Maldini, Nesta, Kaka, Shevçenko, Del Piero, Zidan, Inzagi, Trezege dhe shumë të tjerë ndiznin entuziazmi­n e tifozëve në Shqipëri. Në "lulëzimin" e Serisë A, të ndiqje sfidën Milan-Juventus ishte një ëndërr pothuajse e pamundur për t'u realizuar për shumë njerëz, kjo për shumë faktorë burokratik­ë. Më të privilegju­arit ishin ata që kishin emigruar gjatë atyre viteve në Itali dhe, kur ktheheshin për pushime në vendin tonë, sillnin aromën e "San Siro"-s. Me kalimin e viteve, përballja Milan-Juventus humbi sharmin e dikurshëm, por në të njëjtën kohë ndjekja e kësaj sfide është bërë shumë e thjeshtë për tifozët shqiptarë, që tashmë nuk mungojnë kurrë kur "San Siro" ndriçohet për një ndeshje të madhe. E tillë ishte edhe ajo e së shtunës, ku qindra tifozë shqiptarë kanë qenë të pranishëm në "shkallët e futbollit". Sigurisht më të shumtë në numër ishin ata të Milanit, të cilët dalloheshi­n që në aeroportin "Nënë Tereza" nga ngjyra e fanellës dhe pasioni me të cilin flisnin për ekipin e tyre të zemrës, që në këtë sfidë u prezantua si e dyta në kampionat. Mirëpo, nuk mungonin as tifozët e Juventusit, të cilët, në pamundësi për të siguruar një biletë në "Juventus Stadium", që ka një kapacitet sa gjysma e "San Siro"-s dhe me vendet e rezervuar për të abonuarit, zgjodhën ta shikonin ndeshjen në "transfertë". Emocionet e një përballjej­e të tillë përjetohen qysh kur shikon dritat e projektorë­ve, pa hyrë mirë në stadium, teksa dëgjon këngët e tifozëve. Ndërkohë që i drejtohesh hyrjes, sa më shumë shkallë të ngjitësh, aq më shumë rritet adrenalina, e cila kulmon kur shfaqet fusha dhe impianti gjigant që të rrethon. "I droguar" nga atmosfera ulëret akoma pa filluar ndeshja, në çastin kur spikeri i stadiumit thërret emrat e lojtarëve dhe trajnerit. I pari që del në nxehmje dhe u drejtohet tifozëve duke i përshëndet­ur është portieri Donaruma. Duartrokas­in të gjithë, teksa ata më të frikësuari­t nga zërat e merkatos i japin "një mendje": "Mos shko te Juventusi, qëndro njeri serioz!". Në fillimin e lojës, emocionet e para i dhuron një goditje e Susos. Mirëpo, gjithçka ngrin në minutën e 36-të: kur gjyqtari akordon golin e Pjaniç, çirren të gjithë, duke protestuar dhe, si për magji, rezultati kthehet sërish i barabartë, pasi goli anulohet. Tribuna feston si të ketë shënuar Milani. Me kalimin e minutave, rritet edhe besimi në gjirin e tifozëve kuqezi, që pëshpëriti­n me njëri-tjetrin: "Këtë ndeshje nuk e humbasim, po rezistojmë". Por, si një "predhë që çon Milanin dhe entuziazmi­n e tifozëve në orbitë" ishte goli i shënuar nga 18vjeçari Manuel Lokateli në minutën e 65-të. Si një dallgë, të gjithë tifozët spostohen përpara duke ulëritur me të gjithë forcën dhe u përqafuar me njëri-tjetrin. Milani është në avantazh. Deri në atë çast, të gjithë po shijonin ndeshjen, por 20 minutat e fundit ishin si një agoni, e cila dukej sikur nuk po mbaronte kurrë. "Vuajtjet" e tifozëve shtohen edhe më kur gjyqtari i katërt ngre në qiell tabelën elektronik­e, e cila sinjalizon se do luhen dhe për 5 minuta. Nuk flet askush deri në çastin që portieri i Milanit, Donaruma, bën mrekullinë duke i mohuar golin Juventusit. Ndeshja përfundon, por për disa sekonda nuk flet askush, pasi të gjithë kthejnë kokën nga personi që kanë afër duke e pyetur: "Mbaroi vërtet?!". Kur kuptojnë se ndeshja ka përfunduar dhe Milani ka fituar, entuziazmi është i papërmbajt­shëm. Më në fund, Milan-Juventus është rikthyer klasikja e dikurshme plot rivalitet, por kësaj radhe emocionet e saj mund t'i shijojnë edhe tifozët shqiptarë...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania