Starova: Lamë dy pikë, në derbi ka kujdes jo frikë
"Me drita ka më shumë emocion, spektakli nuk mungoi as dje"
Trajneri Sulejman Starova ka qenë i kudondodhur për mediat pas përfundimit të 27 minutave të derbit që u luajtën dje. Sipas "Bobit", Partizani luajti mirë dje dhe janë ata që lanë dy pikë në derbi dhe tani u del detyra që të kthehen te fitorja ndaj Kukësit. Pika deri diku i kënaq se i mban afër kreut. Për Starovën nuk fitoi frika, por rezultati është logjikë e lojës së zhvilluar.
Starova, luajtët një miniderbi, por që kishte një tjetër shije krahasuar me një ditë më parë?
Luajtëm mirë dhe na shërbeu koha e kaluar të enjten në mbrëmje me ekipin. Analizuam gjatë mënyrën e lojës dhe dolëm në përfundimin që duhet të ndryshojmë diçka, sidomos në stilin e të luajturit. Mendoj se sot (dje) ishim perfektë, krahasuar me fillimin e derbit, ku skuadra vuajti edhe atmosferën, tifozërinë, emocionet. Bëmë gabime, por edhe gjyqtari bëri gabime, nuk ishte si sot (dje), dhe na i shtoi vuajtjet në ato 20 minuta të para. Loja më kënaq gjithmonë, faktikisht, por lumturia e plotë është kur merr pikët e plota. Konsiderohet ndeshje që kemi lënë dy pikë, sa i përket llogarisë, por duke ditur se ishte derbi, kjo shuhet. Kështu që duhet të fitojmë ndeshjen e radhës.
Sërish 0-0. Ky është derbi i frikës, apo jo?
Nuk besoj se ka frikë, më së shumti ka kujdes. Ekipet janë aty-aty dhe në të tilla raste barazimi është një rezultat i logjikshëm. Paraqitja jonë ishte e mirë dhe pika e marrë na kënaq, sepse na mban afër kreut.
Thuajse të gjitha ndeshjet mes rivalëve direkt po dalin njësoj?
Na ka munguar disi goli, por
në përgjithësi kemi bërë lojëra të mira. Jemi 3 pikë larg kreut, ndërsa në fillim të kampionatit kemi qenë 7 pikë pas kur erdha unë, në tri të tilla tani. Kjo tregon që kemi bërë përmirësime. Pastaj, fillimi ju kujtohet, se bëmë tri fitore radhazi. Barazuam me Skënderbeun në një ndeshje të luajtur shkëlqyeshëm, por nuk patëm fat. Ndeshje të mirë kemi bërë edhe
ndaj Vllaznisë, ku lamë dy pikë. Nuk ka munguar loja e mirë, por goli e rrjedhimisht fitorja.
Sukaj dhe Raçiç kanë kaluar orë të tëra me presidentin. A janë në planet tuaja?
Ju e dini mendimin tim, e kam thënë për Sukajn. Është një lojtar që ka një raport shumë të mirë me klubin dhe i ka dyert e hapura. Ndërsa për Raçiçin është hera e parë që dëgjoj që
mund të vijë te Partizani. Nuk kam asnjë informacion për t'ju thënë për këtë lojtar.
Cila është situata e mesfushorit Batha?
U dëmtua që të enjten, zëvendësimi ishte i detyruar. Ka një dëmtim serioz, të shohim në vazhdim gjendjen e tij.
Pati vetëm një minutë shtesë, si ju duk?
Me thënë të drejtën, ndeshja u bë e bukur dhe u futëm më atmosferë, edhe pse nuk e prisja, sepse të enjten në mbrëmje, me drita e stadium plot ishte shumë bukur. Megjithatë, edhe sot (dje) tifozëria ishte shumë e madhe në numër, nga të dyja krahët, ambienti u bë i bukur dhe na erdhi keq që mbaroi kështu, papritur. U habitëm që mbaruan kaq shpejt minutat që kishim për të luajtur.