Mbrojtja është super, Vllaznia çalon në sulm
"Një ekip me lojtarë nga akademia, kjo strategjia e duhur"
Elvin Beqiri, ishkapiteni i Vllaznisë dhe ish-lojtar i Kombëtares shqiptare për shumë vite, analizon ekipin e këtij sezoni dhe paraqitjet e deritanishme. Sipas tij, mbrojtja është reparti më i konsoliduar i Vllaznisë së këtij sezoni. "Mund të them se mbrojtja është një nga repartet më të konsoliduar me lojtarë me eksperiencë që dinë t'i zgjidhin mirë situatat. Megjithatë, ajo që do të them, është se ekipi luan mirë në mbrojtje. Pra, kemi një skuadër që mbrohet mirë, ashtu siç duhet të jetë edhe një ekip që të luajë mirë në sulm. Nuk duhet që të ndahen në asnjë moment repartet, por të merret loja e skuadrës në tërësi. Në aspektin mbrojtës jemi mirë, ndërsa në atë sulmues kemi ende shumë për të bërë", shprehet Beqiri për gazetën "Panorama Sport".
Boshti
Beqiri është aktualisht trajner i U-19 të Vllaznisë. Nga duart e tij dhe të kolegëve ndër vite kanë dalë lojtarë që sot janë baza e ekipit. "Vllaznia është një nga të vetmet ekipe që boshtin e ka me lojtarët e vet. Në këtë klub punohet në këtë drejtim dhe duhet që të bëhet e mundur që pjesa dërrmuese siç edhe është, të jetë me lojtarët tanë. Boshti është kryesori dhe, për më tepër, me futbollistët tanë. Kjo është pozitive dhe duhet vlerësuar edhe për të ardhmen",
ka deklaruar Beqiri. Luftëtari
Në lidhje me përballjen e radhës ndaj Luftëtarit, ishmbrojtësi kuqeblu bën thirrje për kujdes, pasi gjirokastritët po tregojnë se janë një ekip shumë i vështirë për t'u thyer. "Lojtarët e Vllaznisë e stafi
shkodran duhet të bëjnë kujdes se takimi me Luftëtarin, për mendimin tim, është më i vështirë se sa ai me Skënderbeun. Në këtë takim nuk është se skuadra do të kënaqet me një barazim, por duhet që të kërkojë fitoren dhe për të arritur këtë duhet që të
shikojë më shumë në drejtim të sulmit. Unë e shikoj si një përballje jo të lehtë edhe për vetë faktin se Luftëtari nuk duhet të shikohet si një skuadër e ardhur nga Kategoria e Parë. Prandaj duhet shumë kujdes në këtë takim", ka përfunduar Beqiri.