"Challenge Cup", Sako: Luajmë ndaj një ekipi me miliona euro
Sot ora 16:00, Studenti-Zirat Bankasi
Sot, në pallatin e sportit "Asllan Rusi", në orën 16:00, do të luhet ndeshja e volejbollit për meshkuj mes Studentit dhe ekipit turk të Zirat Bankasi Ankara, e vlefshme për turin e dytë të "Challenge Cup". Në një prononcim për "Panorama Sport", trajneri Arben Sako pranoi superioritetin e rivalëve. "Skuadra turke është një rival i fortë. Aktualisht renditet e para në kampionatin vendës. Në këtë event, një vit më parë, e mbyllën të tretët, ndërsa këtë edicion me përforcimet që kanë bërë, janë një konkurrent shumë i fortë. Është një ekip me një buxhet 4-5 milionë euro me amerikanë, italianë dhe suedezë në radhët e saj. Ne do bëjmë të pamundurën që të tregojmë vlerat e volejbollit shqiptar. Pavarësisht se luan Studenti në Kupat e Europës, ne përfaqësojmë volejbollin shqiptar. Djemtë janë stërvitur shumë seriozisht. Po mundohen ta kalojnë atë stres që kaluan në 2-3 ndeshjet e fundit në kampionat. Duhet të kini parasysh se skuadra është e formuar rishtazi dhe i prisja këto oshilacione. Megjithatë, ekipi ka vijuar normalisht stërvitjen dhe besoj se frytet e kësaj përgatitje do të vijnë në Kupën e Shqipërisë, por edhe në vazhdimësi në kampionatin kombëtar", u shpreh trajneri Sako. Kryeqytetasit rikthehen në arenën ndërkombëtare me dy përforcime nga Farka Volej, Redio Koçi dhe Amarildo Deliu. "Siç përmenda pak më lart që Studenti jo pa qëllim nuk përfaqëson vetëm këtë ekip në vetvete, por përfaqëson volejbollin shqiptar. Si i tillë, do të bëj çmos që të ketë një performancë shumë të mirë në këto takime. Fitore? Nuk mund të flas për fitore, por të qëndrojmë me këmbë në tokë. Djemtë do të luajnë, e kanë vlerësuar seriozisht dhe kundërshtari, në gjykimin tim, është i padiskutueshëm në katërshen e Europës, pse jo edhe kampione e Europës".