Mercedes, Uolf: Nuk do të jetë Fetel në vend të Rosberg
Mercedesi nuk po mendon për kandidaturën e Sebastian Fetel si zëvendësues të Niko Rosberg. Konfirmimi vjen nga drejtori sportiv i kampionëve të botës, Toto Uolf: "Ne i respektojmë kontratat që pilotët kanë me ekipet e tjera", tha Uolf. Skuderia gjermane u ndodh e papërgatitur nga tërheqja e Rosberg nga Formula 1, vetëm pesë ditë pasi fitoi titullin e kampionit të botës për herë të parë në histori. Tashmë Mercedes po sheh me vëmendjen kandidaturën e 22-vjeçarit gjerman Paskal Vehrlain, i cili këtë vit konkurroi për skuderinë e Manorit. Megjithatë, edhe për këtë pistë të mundshme, Uolf frenon. "Ndoshta na duhet të marrim një vendim të guximshëm, siç bëri edhe Niko". Ndërkohë mbetet në fuqi pista e Fernando Alonsos. Një transferim i tillë do të ribashkonte spanjollin me Luis Hamilton pas atij partneriteti të akullt që kishin mes tyre në radhët e McLaren-it në vitin 2007. "Fernando duhet marrë në konsideratë. Ai është një pilot që e respektoj shumë. Ndërthur shumë mirë talentin, shpejtësinë dhe përvojën. I ka të gjitha".