Sukaj premton: Fitojmë dy derbet
"Askund si te Partizani. Në Shqipëri, s'kam qenë ndonjëherë i paguar më korrekt se këtu"
Partizani ka qenë ak tiv në merkaton e janarit, duke afruar elementë të spikatur në futbollin shqiptar. Një nga përforcimet më cilësore të merkatos së dimrit për Partizanin është kthimi i Xhevahir Sukajt. Sulmuesi në sezonin e kaluar u kthye në idhullin e tifozërisë së kuqe për golat e shënuar, kryesisht në derbi. Shkodrani është kthyer te "demat" pas një aventure jo shumë të suksesshme në Malajzi, të cilën shpreson ta mbyllë edhe nga ana burokratike në javën e ardhshme. Sulmuesi ka treguar në një intervistë për "Supersport" se çfarë pret në këtë sezon te Partizani, si e sheh rivalitetin e madh në sulmin e kësaj skuadre, apo edhe atë të luftës për titullin kampion. Shkëputja nga Perak
Sukaj pësoi një dëmtim kur ishte pjesë e Perak në Malajzi dhe prej ditësh ka nisur fazën e rehabilitimit në fushë me Partizanin. Sulmuesi pohon se shumë shpejt pret të zgjidhë procedurat burokratike me Perak dhe të federohet si i kuq. "Kam ardhur të bëhem pjesë e Partizanit, duke parë që kisha një konflikt të vogël në kontratë në Malajzi, klubi më ka kërkuar ta prish atë. Unë desha që të bëhej një pagesë ekstra si prishje e njëanshme e kontratës nga klubi, ndaj janë vonesat. Por deri të martën ose të mërkurën do të jem i kompletuar me dokumentacionin e plotë dhe do të jem 100% pjesë e Partizanit", u shpreh Sukaj
Rikthimi te Partizani
Bomberi më pas tregon arsyet pse zgjodhi Partizanin në Shqipëri: "Në Shqipëri, nuk kam qenë ndonjëherë i paguar me korrektësi sesa te
Partizani dhe nuk e them këtë për t'ia rritur vlerat këtij klubi. Kam qenë shumë i rregullt ndaj klubit dhe klubi ndaj meje. Normalisht ishte zgjedhja e parë në Shqipëri, duke parë edhe që klubi ka një projekt shumë të madh për të ardhmen. Të
jeni të bindur se falë vizionit të presidentit, Partizani do të bëhet edhe më i madh seç është, pa rivalitet në kampionatin shqiptar". Konkurrenca në sulm
"Bëhesh më i rëndësishëm kur ke konkurrencë, sesa kur nuk ke. Nëse do të isha
vetëm unë do të thoshin kemi vetëm Sukajn aty, atë kemi. Më mirë kur janë 5 dhe kush është i zoti të luajë e të bëhet secili i rëndësishëm. Normalisht të ketë një lloj harmonie, kush luan t'i shërbejë ekipit, konkurrenca tani te Partizani është për të mirën, jemi të kompletuar. Mendoj të mos ketë asnjë lloj problemi e xhelozie, t'i shërbejmë ekipit që të dalim kampion", vijoi më tej shkodrani.
Premtimi për tifozët
Sukaj i pyetur se sa u premton goli të kuqve në
pjesën e dytë, ai premtimin e kalon te triumfi në dy derbet e mbetura të këtij sezoni.
"Nuk premtoj shumë gola. Vij nga një dëmtim, të cilin besoj se e kam kaluar dhe jam bashkuar në stërvitje me skuadrën. Nuk bëj premtime të mëdha, e rëndësishme është që të paktën të fitojmë dy derbet. Ky është premtimi. Meqë i kemi mbyllur 0- 0, shpresoj që të mos e mbyllim pa gol dy të tjerët, ky është premtimi im", deklaroi bomberi i të kuqve.
Rivaliteti për titullin
"Unë nuk e di se pse nuk e kam frikë Kukësin, me sinqeritet. Nuk e kam frikë, edhe duke parë se presidenti Gjici është shumë i angazhuar me skuadrën dhe e bën më të rrezikshëm. Por mendoj se Skënderbeu është rivali kryesor i Partizanit dhe këto dy ekipe janë ata që do të diskutojnë titullin. Shpresoj që ai të përfundojë te ne".