Cetkoviç mund të ishte i Vllaznisë
Partizani bëri një goditje të madhe në këtë merkato janari, duke afruar mesfushorin Marko Cetkoviç. Malazezi ka luajtur më parë me Laçin në Superiore dhe ka treguar cilësi mjaft të mira dhe, më pas, u largua te Sarajevo. Por, në momentin që vendosi të prishte kontratën me këtë skuadër, ai ka telefonuar trajnerin e Vllaznisë, Armando Cungu, me të cilin ka miqësi dhe i ka bërë me dije se mund të dilte lojtar i lirë. Cetkoviç ka kërkuar nga shkodranët 5 mijë euro në muaj dhe këta të fundit fillimisht kanë pranuar. Por procedurat mësohet se kanë zgjatur disi dhe këtë vonesë të shkodranëve e ka shfrytëzuar Partizani, që, pasi është informuar për situatën, ka kontaktuar menjëherë me lojtarin dhe i ka ofruar rreth 7 mijë euro në muaj, duke e bindur të firmoste një kontratë me ta.