Panorama Sport (Albania)

Lot dhe surpriza, ja risitë që presin ekipet

-

Dy javë nga fundi i fazës së dytë dhe më pas një risi jo vetëm në Kategorinë e Parë, por në të gjithë futbollin shqiptar, pritet në fazën e tretë. Për herë të parë në këtë kategori do të përgjysmoh­en pikët dhe skuadrat do të ndahen në dy grupe, pesë të parat që do të luftojnë për t'u ngjitur në Superiore, ndërsa 5-shja tjetër për t'i shpëtuar rënies. Një formulë e huazuar nga disa kampionate në Europë që synon të ulë fenomenin e trukimit të ndeshjeve që një vit më parë u bë i zakonshëm çdo fundjavë. Një mundësi që gara të jetë e hapur deri në fund. Ashtu si një javë më parë kur Lushnja dhe Bylis u përballën mes tyre në Grupin B, të hënën ishte radha e sfidës mes dy rivalëve të Grupit A, Kamzës dhe Besëlidhje­s. Një sfidë e luftuar fort deri në fund, por që nuk prodhon gola dhe fitues. Duket se skuadrat tregohen më shumë se të kujdesshme dhe llogarisin çdo gjë deri në detaj. Gjithsesi, në fund festojnë kamzalinjt­ë që ruajnë diferencën +10 pikë nga lezhjanët. Erzeni afrohet edhe më shumë dhe mban ekipet kryesuese nën presion. Në Kavajë përballë Besës, shijakasit fitojnë pastër 2-0. Dy kavajas thyejnë Besën, trajneri Bubeqi dhe Dekavelli që shënon në fushë. Shënkolli padyshim është surpriza e Grupit A. Debutues në këtë kategori dhe thuajse e ka siguruar pjesëmarrj­en në 5-shen e parë. Në këtë mënyrë, objektivi primar është arritur, mbijetesa. Më tej, mund të vazhdojë të surprizojë. Burreli ngec në shtëpi. Matjanët që kanë bindur me paraqitjet e tyre deri tani janë thyer keqas 3-1 nga Kastrioti. Në fund, administra­tori i klubit të Burrelit ka paralajmër­uar masa. Ekipi bën paraqitjen më të dobët deri tani. Ilirisë i është dashur të presë gjashtë muaj për të shijuar fitoren e parë në shtëpi. Fushë-krujasve u duhet një penallti për të mundur Tërbunin. Nga ana tjetër, pukjanët po kalojnë nga ekstremi në ekstrem brenda dy vitesh. Vjet në Superiore, sezonin e ardhshëm me shumë mundësi në Kategorinë e Dytë. Në Grupin B, Lushnja e kalon si miqësore sfidën me Sopotin. "Poker" golash dhe shumë... lot. Mikel Canka shënon në 30-vjetorin e lindjes dhe ia dedikon të atit. "Ky gol është për të që më ndjek nga... lart", tha sulmuesi pas ndeshjes. Bylis bën detyrën dhe vazhdon të ndjekë lushnjarët. Fiton 2-0 në Peqin, por vuan shumë për të mbërritur deri te suksesi. Apolonia "ringjallet" pas një starti shumë negativ që i bëri këtij viti. Dy humbje në po kaq takime bënë që skuadra të mos toleronte më në ndeshjen e tretë. Përballë Elbasanit në transfertë, fierakët fitojnë 3-1, madje edhe me dhjetë lojtarë. Ndërsa, verdheblut­ë prekin vendin e fundit dhe rrezikojnë seriozisht mbijetesën. Pogradeci e ka nisur në mënyrë perfekte këtë vit. Liqenorët kanë arritur tri fitore në po kaq ndeshje deri tani këtë vit. Fundjavën e kaluar, suksesi në Pezë ndaj Dinamos i ka dhënë shumë forcë ekipit. Një skuadër me talente vendës që garantojnë shumë për të ardhmen. Tomori ishte shumë aktiv në merkato duke afruar futbollist­ë cilësorë, por në fushë gjërat janë ndryshe. Beratasit u mundën 2-0 nga Turbina në transfertë dhe tashmë rrezikojnë seriozisht 5-shen e parë. Besar Bozgo

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania