Panorama Sport (Albania)

Duro: Idrizi nuk ndërhyn, do t'i marr pikë Tiranës

"Vlora tokë e nxehtë, 3 të dëmtuar janë kthyer mbipeshë"

- ERMAL SIKA

Shpëtim Duro i ka të qarta idetë në krye të Flamurtari­t. Edhe pse e mori në një situatë të vështirë, trajneri tiranas beson shumë se me kualitetet që ka në ekip do t'ia dalë. Në një intervistë të dhënë dje për "Panorama Sport", trajneri Shpëtim Duro është i kënaqur për mikpritjen në Vlorë, ndërsa tha se ka shumë miq, përfshi Kushtën, Çipin, Tahon dhe Memushin, me të cilët do të konsultohe­t. Duro tha se, sezonin e ardhshëm, Flamurtari do të konkurrojë për të gjithë kompeticio­net.

Vlora është cilësuar si ambient i nxehtë dhe trajnerët që kanë ardhur kanë dështuar. Ju personalis­ht, çfarë situate keni gjetur në klub?

Një javë kam që e kam marrë ekipin, por unë nuk vij nga jashtë Shqipërisë. E di situatën, ambientin këtu. Vlonjatët duan të jenë skuadër me traditë në futbollin shqiptar dhe të jenë në nivele të larta dhe kjo është normale. Kur nuk ecën puna janë edhe kritikë, ashtu si të gjitha tifozëritë e tjera. Unë kur e mora këtë vendim, jo në moment të mirë, i kam marrë parasysh të gjitha situatat. Për ndeshjen e parë, të them të drejtën, më ka ardhur keq shumë, pasi stadiumi ishte shumë i mbushur me tifozë dhe me Teutën kemi pasur përkrahje shumë. Na erdhi keq jo për lojën, por për rezultatin.

Duket se keni marrë një risk të madh duke pranuar drejtimin e Flamurtari­t në këtë pozicion. Çfarë ju bindi?

Unë e kam thënë edhe në intervistë­n e parë që nuk ishte situata më e mirë kjo që unë e mora Flamurtari­n. Doja që ta kisha marrë në një gjendje tjetër, por nuk dua t'i kthehem pas kësaj tani. Ne duhet të përqendroh­emi te lufta për mbijetesë dhe të bëjmë një projekt për sezonin e ardhshëm që Flamurtari të jetë në nivele të larta në elitën shqiptare.

A keni biseduar me trajnerin e shkarkuar apo figura të futbollit vlonjat dhe, nëse po, çfarë ju kanë thënë ata?

Unë kam shumë miq këtu në Vlorë. Por kam vetëm pesë ditë këtu dhe kam qenë i ngarkuar me akomodimin, stërvitjen, punën. Kam shumë miq këtu, si Kushta apo Çipi, kam takuar Tahon e Memushin. Kam akoma për të takuar, por kam pasur kohë të shkurtër në dispozicio­n dhe nuk kam arritur t'i takoj të gjithë. Kam shumë miq e shokë këtu që do t'i takoj.

Duke parë se lufta për mbijetesë është e fortë dhe shpesh

Flamurtari ka pasur përplasje me FSHF-në, çfarë i druheni?

Unë nuk dua t'u hyj këtyre situatave, por besoj te profesiona­lizimi i lojtarëve, te puna e klubit dhe të bëjmë maksimumin. Në këtë situatë nuk dua të merrem me këto gjëra, por shpresoj që të jetë një gjykim objektiv që kushdo skuadër ta meritojë ta marrë atë që i takon. Për ndeshjen time të parë, të cilën unë tani e kam parë me qetësi, kam rezerva në përgjithës­i, jo vetëm në momentin e penalltisë, por edhe për situata të tjera. Nuk e them se ka qenë e qëllimshme, po ka pasur shumë episode, si faulle, apo penalltia që u dha dhe u anulua për 3-4 minuta. Pak e çuditshme, pasi vendimi duhet të merrej më shpjet.

E nisët me humbje në Vlorë, por pati dhe një rast të çuditshëm penalltie që nuk u dha, siç edhe ju e përmendët. Është peng kjo për ju, apo gjëra të tilla ndodhin?

Unë me ndeshjen e parë do të kisha dëshirë të arrija rezultat pozitiv. Fitorja do të ishte një rezultat shumë i mirë, por edhe barazimi me një kundërshta­r direkt do të ishte normale, por me lojën kemi qenë një skuadër kompakte dhe agresive. Teuta është një nga skuadrat më të vështira në transfertë. Ne kemi qenë gjatë gjithë lojës në kontroll të situatave, shpërqendr­imi në momentet e fundit është i pafalshëm. Duhet të shkonim deri te barazimi, megjithatë ajo tani iku dhe duhet të shikojmë ndeshjet e radhës.

Të dielën luhet një finale më vete në Tiranë. FSHF ka vendosur që ndeshja të gjykohet nga gjyqtarë maltezë, jeni dakord ju për këtë?

Unë jam jo dakord, por superdakor­d që ndeshje të veçanta të arbitrohen nga gjyqtarë asnjanës. Unë jam trajner i vjetër në Superligë që ky vendim është pozitiv, pasi këto janë situata që zgjidhen më mirë. Ndeshja finale? Për ne, ndeshje finale janë deri në fund të gjitha ndeshjet. Para ne kemi ndeshje me ekipe kryesore si Tirana, Kukësi, Partizani, por ne do të luajmë ballë për ballë, pasi kemi kontingjen­tin, kemi shumë lojtarë cilësorë në raport me këto skuadra, e keqja është vetëm klasifikim­i në tabelë.

Çfarë prisni nga ndeshja me Tiranën?

Nuk pres ndonjë gjë të veçantë. Dua ato që dha skuadra në ndeshjen me Teutën, atë kompaktësi, pastaj rezultati është pjesë e lojës. Ne shkojmë në Tiranë me autoritet dhe me personalit­et, me nivel të lartë psikologji­k. Pavarësish­t se situata nuk është e mirë në klasifikim, ne jemi një grup kompakt dhe mund t'ia dalim ndaj një kundërshta­ri si Tirana. Kemi potenciale. Kur unë erdha në Vlorë, 7-8 lojtarë nuk ishin në dispozicio­n dhe kishte shumë dëmtime. Ajo që na rëndoi më shumë ishte Bushiç, një lojtar sulmues që shënonte dhe po kalonte një formë të mirë. Aktualisht skuadra është e plotë, por ata që janë rikthyer nga dëmtimi, nuk janë në kondicioni­n e duhur fizik. Madje, dy-tre prej tyre janë mbipeshë. Unë e kam në filozofinë time që të aktivizoj ata që janë 100% gati. Ndaj, duhet të jemi të kujdesshëm në zgjedhjen e organikës në këtë ndeshje.

Çfarë garancie ju ka dhënë administra­tori Idrizi për të ardhmen nëse Flamurtari mbijeton. Pra, do të ndërtoni një ekip model?

Është ndryshe kur trajneri e ndërton vetë skuadrën, por nuk dua t'i kthehem më kësaj historie. Të them të drejtën, unë kam bërë kontratë, por më shumë jam i përqendrua­r te puna që duhet ta bëj me gjithë shpirt e zemër. Dua të bëj diçka të madhe për Flamurtari­n, pasi është skuadër e madhe, skuadër me emër, dua të fokusohem te puna. Pavarësish­t se kam bërë kontratë, një vit e gjysmë do të shikoj situatat në vazhdim. Dëshira është që të filloj një cikël të ri vitin tjetër dhe jam i bindur 100% që do ta kalojmë këtë situatë. Vitin tjetër do të jemi konkurrent­ë në të gjitha kompeticio­net.

Si ju kanë pritur në Vlorë? Në Vlorë janë njerëz të dashur, që më respektojn­ë, pavarësish­t se Vlora është e nxehtë dhe kjo është normale, pasi skuadra ka edhe shqetësime­t e saj. Mua më ka bërë përshtypje edhe presidenti Idrizi, që nuk ndërhyn në punën e trajnerit. Shpresojmë ta kalojmë këtë situatë.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania