Besëlidhja nën presion, Bruka nuk pranon blofe
rajneri Do jetë një sfidë spektakolare, dua vetëm tri pikë
Besëlidhja u dha fund përgatitjeve për ndeshjen ndaj Burrelit që do të luajë sot, në orën 14:00, në stadiumin e vet për llogari të javës së 17-të të kampionatit. Lezhjanët, gjatë të gjithë javës, janë stërvitur intensivisht që këto dy ndeshjet e mbetura të fazës së dytë t'i mbyllin me fitore pas tre barazimeve radhazi që e kanë zgjeruar hendekun ndaj Kamzës që kryeson grupin A. Duke parë edhe fitoren e një dite më parë të kamzalinjve, Besëlidhjes nuk i falen më hapat falsë.
Bruka
Trajneri Alban Bruka kërkon nga futbollistët e tij që në këto dy ndeshjet e fundit të tregohen të kujdesshëm. Në një prononcim për gazetën, tekniku lezhjan u shpreh: "Tashmë që edhe fazës së dytë po i vjen fundi, gjërat sa vijnë e shtrëngohen, pasi të gjitha skuadrat shkunden për të rikuperuar sa të mundin për të qenë sa më pranë objektivave. Duke iu referuar kësaj, edhe ne po punojmë intensivisht për të rregulluar ato të meta e dobësi që janë vërejtur gjatë rrugës. Puna ime tani është e përqendruar edhe në aspektin edukativ, pasi dua që futbollistët të qëndrojnë me këmbë në tokë. Ne, si një nga skuadrat kryesore të Grupit A që synojmë ngjitjen në Superiore, na duhet shumë punë, përqendrim, kujdes dhe vlerësim për të gjitha skuadrat pa përjashtim, pasi të gjitha kërkojnë objektivat
e tyre. Gjatë të gjithë javës, skuadra është stërvitur intensivisht për të rikuperuar energjitë e nevojshme për të përballuar sfidën e radhës që do luajmë në shtëpi ndaj Burrelit", u shpreh fillimisht Bruka. Trajneri i Besëlidhjes vazhdoi: "Pjesën dërrmuese të futbollistëve e kam në dispozicion dhe kjo për mua është pozitive, pasi mundësitë i kam për të ndërtuar një formacion që do mund ta përballojë me sukses Burrelin. Skuadrën matjane ne e kemi vlerësuar dhe vijojmë këtë konsideratë, pasi është një ekip që e meriton, si nga historia, ashtu edhe nga forma e saj gjatë këtij sezoni. Ndeshja ndaj Burrelit do të jetë një nga më të mirat dhe më spektakolaret, pasi të dyja skuadrat e kanë eksperiencën dhe kualitetin për këtë. Normalisht që ne do të luftojmë vetëm për tri pikët", përfundoi Bruka.