Panorama Sport (Albania)

Hebaj u jep zemër kuqebluve: Ia dalim!

Sulmuesi i talentuar shkodran pritet të udhëheqë skuadrën në repartin ofensiv

-

Në mungesë të sulmuesve Elis Bakaj dhe Brunild Pepa, Rubin Hebaj është shpresa e madhe e Vllaznisë në ndeshjen e së shtunës ndaj Tiranës. Talenti shkodran u vlerësua dy ditë më parë në ceremoninë e organizuar nga shoqata "Sporti na Bashkon". 18vjeçari është afirmuar këtë sezon me fanellën kuqeblu, ndërsa ka shënuar katër gola. Të shtunën sytë janë nga ai dhe Hebaj është i ndërgjegjs­hëm se i duhet të bëjë ndeshjen e jetës për të shpëtuar kuqeblutë nga rënia. Duke folur për këtë sfidë, shkodrani i talentuar shprehu optimizmin e tij për një fitore. "Askush nuk do të donte që të mbërrinte deri në javën e fundit beteja për të qëndruar në kategori. Ky është një realitet tashmë, kështu që s'kemi çfarë të bëjmë. Duhet të mbledhim forcat dhe të bëjmë të pamundurën që Vllaznia të jetë në Superiore. Fatmirësis­ht, luajmë në fushën tonë dhe do të kemi mbështetje­n e tifozëve shkodranë. Kemi në favor dy rezultate, barazimin dhe fitoren, ndaj jemi paksa më të qetë se Tirana. Shpresoj të marrim një fitore", ka thënë fillimisht Hebaj. Sipas sulmuesit, kundërshta­ri është më në trysni se Vllaznia, që i mjafton edhe barazimi për të shpëtuar. "Presioni është te Tirana, por edhe ne kemi mbi shpatulla një barrë të rëndë, pasi duhet të evitojmë diçka negative për klubin tonë, siç është zbritja nga kategoria. Tani nuk është momenti të analizojmë atë që ka kaluar, gabimet që kemi bërë, por të përqendroh­emi maksimalis­ht te kjo superfidë. E tillë është për ne ndeshja e javës së fundit, prandaj duhet ta mbyllim me dinjitet", përfundoi sulmuesi shkodran. A.Uruçi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania