Në elitë me lojtarë vendës, Lushnja një model suksesi
Lushnja është një model suksesi se si të besosh te futbollistët vendës për të arritur synimet. Pak shpenzime, mundësi për të promovuar futbollistët vendës, grup ku ka shumë harmoni dhe, në fund, një trajner që di të marrë më të mirën nga lojtarët e tij. Lushnja e këtij sezoni është pa diskutim një model se si të mbërrish në Superiore duke u bazuar në 80% te futbollistët vendës. Nga 22 lojtarë që janë pjesë e skuadrës gjatë këtij viti, vetëm katër nuk janë lushnjarë. Strategjia e ndjekur nga drejtuesit dhe stafi teknik, bënë që synimi për të kapur elitën të arrihej, në një kohë që shpenzimet nuk ishin të mëdha. Një mësim edhe për rivalin e drejtpërdrejtë të lushnjarëve, Bylisin që investoi shumë duke afruar shumë futbollistë të huaj, por në fund nuk shkoi më shumë se vendi i dytë.
SKUADRA
Në formacionin e lushnjarëve në finalen me Bylisin, në fushë ishin vetëm dy "jabanxhinj", fieraku Arbër Mone dhe peqinasi Klejdis Branica. Të gjithë të tjerët ishin lushnjarë. Përveç këtyre të dyve, pjesë e skuadrës janë edhe dy lojtarë të tjerë jovendës, peqinasi Endri Magani dhe Ergys Alushi nga Kuçova. Nga 22 futbollistë që kanë luajtur me Lushnjën, qoftë edhe pak minuta në këtë sezon, vetëm katër nuk janë vendës. Një klub bashkie që kërkon të reduktojë shpenzimet në maksimum, ka bërë që të krijohet një strategji me lojtarë lushnjarë. Dhe duket se gjithçka shkoi në mënyrën më të mirë dhe ekipi u rikthye në Superiore pas tre sezonesh mungesë. Pritet që një pjesë e mirë e grupit të ruhet edhe për kampionatin e ardhshëm, ku skuadra do të garojë në elitë. Alban Alushi