Thirrja e Shonit: Futbolli shqiptar kërkon reformim
Ish-lojtari pohon se simptomat e këtij sporti kanë larguar tifozët nga stadiumet
Dhimitraq Shoni, ish-futbollisti i Luftëtarit në vitet ' 70-'80, vlerëson suksesin e arritur të Luftëtarit në këtë sezon futbollistik. Por kur ka mbetur edhe një javë që të mbyllet Superiorja, Shoni u ndal fillimisht te "xhaketat e zeza" për vetë problematikën që ata kanë krijuar në këtë sezon. Për "Panorama Sport", Shoni u shpreh: "Jemi para javës së fundit të kampionatit kombëtar të futbollit dhe Kategoria Superiore vuan nga simlajmëruan, ptomat e një sëmundjeje të rrezikshme, gati vdekjeprurëse për futbollin shqiptar. Rastet e kësaj simptome janë të shumta dhe janë shfaqur vrullshëm në këtë kampionat, që fatmirësisht po mbaron këtë javë. Sportdashësit kanë kohë që e kanë dënuar dhe kjo duket në boshatisjen e terreneve sportive. Arbitrat, pa kurrfarë turpi demonstrojnë me akte, pa edukatë profesionale dhe qytetarie. Kjo bën që edhe ekipet tona, pjesa më e madhe dirigjohen nga presidentë larg çdo etike futbollistike, duke nxitur trajnerë e lojtarë të plotësojnë këtë imazh të keq me kontributin e tyre. Besoj se erdhi koha të reformohet çdo gjë nga e para, në mënyrë që futbolli të rifitojë emrin e tij të mrekullueshëm, emër të cilin pas viteve '90 e ka humbur". LUFTËTARI- Marrja e kartonëve të verdhë dhe dalja nga detyrat taktike në fushë, sipas Shonit, janë "kambanë alarmi", që nuk i shërbejnë së tashmes, pasi gjithçka është drejt fundit. Në të ardhmen Luftëtarit do t'i duhet të korrigjohet në aspektin disiplinor. "Kartonët e verdhë kanë qenë të shumtë. Lojtarët kanë dalë jashtë detyrave dhe për të plotësuar njëri-tjetrin kanë gabuar. Vendimi i gjyqtarëve është absolut dhe nuk ka vend për t'u diskutuar. Të ndodhur para këtyre situatave ka humbur bukuria e lojës", nënvizoi Shoni. Lidhur me ndeshjen ndaj Kukësit, Shoni do të shprehej: "Ndeshja me Kukësin do të jetë një sfidë që vendos përballë dy skuadra me objektiva thuajse të mbyllura, ndaj pritshmëritë për këtë përballje do të flasin për Luftëtarin". Gjirokastritët nën drejtimin e stafit teknik po u japin dorën e fundit përgatitjeve për Kukësin. Grupit i është bashkuar edhe portieri Miraka, i cili pritet që të jetë titullar në sfidën e nesërme. Tomor Shehu