Dramë në Shkodër, Tirana rrëzohet për herë të parë
Bardheblutë bien nga Superiorja pas 78 vitesh radhazi në elitë
Dramë në Shkodër! Tirana bie për herë të parë nga Kategoria Superiore pas 78 vitesh radhazi në elitën e futbollit shqiptar. Klubi me një histori 96-vjeçare dhe rekordmen në Shqipëri për titujt e fituar (24 herë kampion) ka kapitulluar dje në stadiumin "Loro Boriçi", duke zyrtarizuar sezonin e errët. Barazimi pa gola në aktin e fundit të kampionatit ka shpëtuar Vllazninë dhe si pasojë e kombinimit të rezultateve në ndeshjet Laçi-Teuta 2-1 dhe Korabi-Flamurtari 03, të dënuarit për të zbritur një kategori më poshtë ishin pikërisht bardheblutë. Me 39 pikë në 36 javë kampionat, Tirana e mbylli në vendin e parafundit, duke shoqëruar Korabin në Kategorinë e Parë.
NDESHJA
Në një atmosferë super, me një numër rekord tifozësh për këtë sezon (13 mijë), "klasikja" e Shqipërisë fatkeqësisht luhej për mbijetesë dhe jo për trofe. Shkodranëve u mjaftonte një pikë, ndërsa bardhebluve u interesonte vetëm fitorja për të shpëtuar sezonin. Me shpresat e pakta nga ndonjë dhuratë që mund t'u bënte Teuta apo Korabi në përballjet ndaj rivalëve direktë si Laçi e Flamurtari, kuqeblutë dhe tiranasit u besuan më shumë këmbëve të tyre në një 90-minutësh të zjarrtë nga fillimi deri në fund. Me mbështetjen e madhe të tifozëve, Vllaznia bëhet e frikshme që në start. Portieri Ilion Lika shpëton Tiranën nga gola të sigurt. Eraldo Çinari nuk u beson syve, duke humbur raste flagrante. Mirëpo, mesfushorin e "kopjojnë" edhe Bardulla, Kalaja, Pjeshka e Gurishta, që shpërdorojnë fatalisht. Vllaznia dominon pjesën e parë, ndërsa miqtë në vetëm një rast me Merveil godasin portën. Të dyja skuadrat vuanin presionin e madh që kishte ky takim
dhe veçanërisht Tirana e kishte të vështirë të organizohej. Kuqeblutë luftonin shumë për topin e parë dhe shpesh ishin agresivë më tepër sesa duhet. Gjithsesi, treshja e gjyqtarëve italianë, me kryesor Paolo Maxolenin, nuk e kishte të vështirë të administronte një
lojë nervash, ku lojtarët e të dyja skuadrave rrallë mund të kundërshtonin kryesorin, siç ndodh rëndom kur ndeshjet gjykohen nga arbitra vendës. Skuadrat shkojnë në pushim me rrjeta të paprekura. Vllaznia bën ndryshimin e parë, teksa Cungu largon Mulemon dhe aktivizon
Krujën, duke fuqizuar më shumë mesfushën. Tirana është po e njëjta, por nuk kalojnë shumë minuta dhe Josa guxon, duke larguar një mesfushor shkatërrues si Daja dhe duke aktivizuar një lojtar me tipare ofensive si Moise. Bardheblutë rrisin presionin dhe i afrohen golit pas një goditjeje të Hoxhallarit, që grushtohet mrekullisht nga Selimaj. Taku ka shansin e artë për të nderuar Tiranën, por gabon brenda zonës. 20 minutat e fundit janë të mbushura me ankth. Në lojë futet edhe Kërçiku e Cise, por ky i fundit e katranos, duke marrë karton të kuq pas grindjes me Pjeshkën. As gjashtë minutat shtesë nuk sjellin ndryshim në rezultat, përveç vonesave të shkodranëve, me portierin Selimaj që bën edhe "aktorin". Vërshëllima e fundit e italianit Maxoleni bën që bardheblutë të shpërthejnë në lot, ndërsa shkodranët të festojnë sikur të kishin fituar titullin kampion.