Tirana dhe Luftëtari, për biletën e fundit europiane
Verdiktet e sezonit 2016-2017, sot mësohet dilema e fundit
Kukësi u shpall kampion për herë të parë dhe do të luajë në turin e dytë paraeliminator të Ligës së Kampioneve. Partizani dhe Skënderbeu e mbyllën me pikë të barabarta (72), por të kuqtë janë të dytët për shkak të ndeshjeve direkte (kanë fituar 2 herë dhe kanë barazuar dy herë ndaj korçarëve). Partizani dhe Skënderbeu i treti do të marrin pjesë në turin e parë paraeliminator të Ligës së Europës. Nga ana tjetër, për herë të parë në historinë si klub, Tirana zbriti nga Kategoria Superiore, duke shoqëruar Korabin e Peshkopisë në të Parën. Kësisoj, pas rekordit të bardhebluve (nuk kishin rënë asnjëherë nga elita), tashmë nuk ka asnjë skuadër në Shqipëri që nuk e ka provuar të paktën një herë ligën e dytë të përfaqësimit në kampionat, që prej pak vitesh emërohet si Kategoria e Parë. E vetmja dilemë që ka mbetur nga ky sezon është ai i biletës së fundit për Ligën e Europës. Nëse Tirana fiton sot Kupën e Shqipërisë në finalen kundër Skënderbeut në "Elbasan Arena", atëherë do të marrë pjesë në turin e parë paraeliminator. Në rast se trofeun e fitojnë korçarët, atëherë skuadra që do të marrë pjesë në Ligën e Europës është Luftëtari, që e mbylli kampionatin në vendin e katërt. Këtu hyn në fuqi rregullorja për Kupat e Europës, ku citohet: "nëse klubi i renditur në vendin e tretë (në rastin konkret Skënderbeu) në klasifikimin e përgjithshëm, fiton njëkohësisht edhe Kupën e Shqipërisë, atëherë klubi i renditur në vendin e katërt do të marrë pjesë në turin e parë paraeliminator të Ligës së Europës".
Katër ekipe me 40 pikë
Katër skuadra e mbyllën kampionatin me nga 40 pikë, pikërisht Vllaznia, Teuta, Laçi dhe Flamurtari. Sipas rregullores së FSHF-së, për renditjen përfundimtare merren parasysh pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara mes klubeve përkatëse. Kësisoj, rezulton se skuadra që ka grumbulluar më shumë pikë është Teuta (19), e cila e mbylli në vendin e pestë. Më pas vjen Laçi, Vllaznia (nga 17) dhe Flamurtari (13 pikë). Në rastin e Laçit dhe Vllaznisë, rrëzohet pika e parë dhe merret parasysh diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet mes ekipeve përkatëse. Në këto kushte favorizohen kurbinasit, që e mbyllin kampionatin në vendin e gjashtë.