Panorama Sport (Albania)

Telefonata, urdhra dhe lëvizje të dyshimta, ja çfarë ndodhi dje në FSHF

-

Ishte një heshtje "e frikshme" përpara një vendimi, që në fakt në institucio­nin e futbollit shqiptar dukej sikur e dinin prej kohësh se çfarë do të bëhej. Aty rreth orës 11:30, zyrat ishin thuajse të boshatisur­a (një pjesë e punonjësve janë me leje), ndërsa të habiste fakti për një prezencë të paktë të mediave, ndoshta edhe nga zvarritja që i kishte bërë Etika çështjes "Skënderbeu". Vetëm "Panorama Sport" dhe "Top Channel" kërkuan të ndiqnin ngjarjen minutë pas minute, por askush nuk të jepte një orar të saktë për zhvillimin e mbledhjes. Gjithsesi, në hollin e federatës u shfaq sekretari i përgjithsh­ëm, Ilir Shulku, i cili, i pyetur se çfarë mund të ndodhte me Etikën, nuk pranoi të jepte ndonjë indicie. "Nuk kam asnjë dijeni se çfarë do të ndodhë, ju betohem", thotë Shulku. Minutat duket sikur nuk kalojnë shpejt, në një kohë që për të bërë gati sallën ku do të zhvillohej mbledhja ishin kujdesur tre zyrtarë të FSHF-së, që nga shkresat dhe uji. Ora po shkonte 11:40 dhe recepsioni­stja merr një urdhër të prerë nga një prej zyrtarëve të FSHF-së: "Të mos lejohet asnjë të hyjë në sallën andej (ku do të zhvillohej mbledhja), përveç anëtarëve të Etikës". Nuk kalojnë as dy minuta dhe shfaqet Bejkush Birçe. Ish-trajneri i Kombëtares është i përpiktë, teksa vjen në FSHF që në 11:50, pikërisht 10 minuta përpara fillimit të mbledhjes. Anëtarët e tjerë të Etikës, duke nisur nga kryetari Fatmir Braka, Agron Kuliçaj e Ardian Leka, mbërrijnë së bashku në FSHF, por 10 minuta me vonesë nga orari i paralajmër­uar për mbledhje. "Ka ndonjë gazetë sportive", është kërkesa e Kuliçajt ndaj recepsioni­stes së federatës, në një kohë që kjo e fundit me keqardhje i thotë që "jo". Gjatë kësaj kohe, Birçe po meditonte i vetëm në sallë. Befas në FSHF kujtohen se kanë harruar ta lajmërojnë në kohë anëtarin tjetër, Bashkim Koka, një ish-trajner kampion me Teutën dy dekada më parë. I kanë thënë të vijë në 13:00, por mbledhja ishte në 12:00. Megjithatë, nis pa atë dhe përveç anëtarëve të Etikës, nga administra­ta e FSHF-së, merr pjesë vetëm shefi i zyrës juridike, Aldi Topçiu. Me një mori shkresash në duar, ky i fundit vete dhe vjen nxitimthi. "Fatmiri kërkoi një tavllë duhani", vjen kërkesa e parë nga anëtarët e Etikës, teksa batutat nuk mungojnë. "Do ndezim alarmin sa të fillojë tymosja", thotë një prej zyrtarëve të FSHF-së. Ora shkon 12:30 dhe mbërrin Bashkim Koka. "Kanë filluar e?", pyet ky i fundit dhe futet nxitimthi në sallë. Ndërkohë, Kuliçaj del nga salla dhe duke folur në telefon, zbret shkallët e federatës. Kjo krijon habi, në një kohë që kthehet sërish pas rreth 25 minutash në mbledhje. Ndoshta ka pasur një problem personal apo diçka tjetër, kjo nuk u mor vesh. Në këtë moment, del nga mbledhja edhe shefi i zyrës juridike. Tonet e anëtarëve nuk janë aq të larta saqë të dëgjohen edhe për ata që qëndronin në hollin e FSHF-së. Për një hark jo të vogël kohor ka qetësi olimpike, derisa hapet një derë dhe të pestë anëtarët e Etikës njëri pas tjetrit dalin pa takuar askënd. "Pyesni zyrën për shtyp për vendimin, do e shikoni më vonë", janë fjalët e anëtarëve pas interesimi­t të gazetarëve. Kryetari Braka është gjatë gjithë kohës në telefon, ndërsa ai që ndahet i pari është Birçe, i cili përshëndet­et me të gjithë. Të tjerët kanë kohë edhe për një kafe. Vendimi ishte marrë, ndërsa jo të gjithë anëtarët dukeshin në unison. Një pjesë e tyre nuk e kishte pëlqyer këtë vendim, por gjithçka mori fund këtu pas zvarritjes dhe tashmë pushimet e mëdha nisin edhe për... Etikën. Jorgis Memo

 ??  ?? Anëtarët e Etikës duke dalë dje nga
FSHF
Anëtarët e Etikës duke dalë dje nga FSHF

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania