Starova pret kualifikimin: Ja plani
“Për Sukajn vendosim për 2-3 ditë, Torasa na refuzoi”
Pesë ditë përpara dueleve të para në Ligën e Europës, Partizani dhe Prishtina janë ndeshur dje në fushën e Laçit. Miqësorja mes dy skuadrave kryeqytetase nisi në orën 17:00, orar të cilin Partizani do ta ketë edhe...
Trajneri Sulejman Starova ka besim se skuadra e tij mund ta kalojë me sukses Botev Plovdivin. Pas fitores në miqësoren e djeshme me Prishtinën, trajneri i Partizanit pohoi se e kanë studiuar mirë kundërshtarin dhe se bullgarët duhen marrë në konsideratë, pasi kanë një ekip që mbrohet mirë e luan me kundërsulm. Ai kërkon kujdes nga ekipi i tij, që të mos bien në gracën e Botevit, ndërsa miqësoren me Prishtinën e shikon pozitive.
MIQËSORJA DHE KUALIFIKIMI - "Takimi u ndikua edhe nga temperaturat e larta, por në përgjithësi lojtarët morën ngarkesën që u duhet për të përballuar ndeshjen e së enjtes në Ligën e Europës. Gjatë kësaj jave kemi punuar shumë, por njëkohësisht jemi njohur edhe me kundërshtarin. Sipas mendimit tonë, Botev Plovdivi është një skuadër e fortë dhe renditja në vendin e shtatë në kampionat nuk ka të bëjë. Ne e kemi parë mirë kundërshtarin në disa ndeshje të luajtura në sezonin e fundit në Bullgari, sidomos finalen e Kupës, e cila bëri që ata të dalin në Europë. Botev është një skuadër që mbrohet mirë dhe luan me kundërsulm. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe skuadra e di këtë gjë tashmë. Ndaj ne parashikojmë një kundërshtar që do të mbrohet mirë e do të mundohet që të na godasë me kundërsulm. Sot ishte një miqësore ku ruajtëm energjitë, por edhe nga dëmtimet. Duke iu referuar takimit, ne ishim më lart se Prishtina dhe sa i përket minutazhit të lojtarëve që luajtën në këtë takim, them se skuadra është në rregull. Në këto dy takime me Botevin duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos biem në grackën e kundërshtarit", u shpreh fillimisht Starova pas miqësores.
NDIKIMI I TË LARGUARVE - Partizani duhet t'ia dalë ndaj bullgarëve pa katër titullarë të sezonit të shkuar, Ekuban, Torasa, Cetkoviç dhe Ramadani. Starova pohoi se priste që argjentinasi të ishte për Europë, si dhe ka ende shpresa për Ekubanin. "Qëllimi i klubit është që të ndërtojmë një skuadër konkurruese, një skuadër për të vazhduar objektivat tanë për të dalë kampion dhe për të vazhduar që të jemi kampion. Koha nuk ishte e përshtatshme për të zëvendësuar këta lojtarë që janë larguar nga ekipi. Prisnim rikthimin e Torasës për ndeshjet e Europës, por ai nuk na u përgjigj për arsye familjare, ndonëse fillimisht na kishte thënë 'po'. Kemi përsëri shpresë të na kthehet Ekuban, ndërkohë që klubi po bën tratativa serioze për objektivin tjetër, i cili është kampionati i ri. Do të bëjmë të pamundurën për të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë ndaj Botev Plovdivit. Po punojmë për kualifikimin dhe besojmë te lojtarët që kemi. Objektivi madhor i skuadrës nuk është për të kaluar një apo dy ture në Europë, as në të tretin, që është e vështirë të shkohet, por të ndërtohet një skuadër që si objektiv të ketë arritjen e grupeve të kupave të Europës", vijoi "Bobi".
SUKAJ DHE BARDHI -
Pyetjes nëse do të jetë Sukaj i gatshëm për Botevin dhe nëse e bën Bardhi qendërsulmuesin, trajneri Starova u përgjigj: "Kemi eksperimentuar me Bardhin, pasi Sukaj nuk është gati nga dëmtimi në gju që mori në seancat stërvitore në Ohër. Kjo është një pikë që do ta zgjidhim brenda 3-4 ditësh se kush do të luajë në maj të sulmit".
VENDIMI I ETIKËS -
Ndonëse Partizani është në heshtje, në prononcimin për "Supersport" Starova komentoi vendimin e Etikës për Skënderbeun: "Unë kam qenë ai që kam thënë se as që diskutohet që titulli i sezonit të shkuar do t'i jepet Partizanit. Kështu që po shikoni se gradualisht po dalin fjalët e mia. Megjithatë, ne jemi në heshtje shtypi, por besoj se kaq më lejohet të flas, që jemi në pritje të titullit. Nuk po marrim vesh se çfarë po ndodh, por normalisht pas vendimit të Komisionit të Etikës duhet që Komisioni i Disiplinës të japë verdiktin e tij. Mendoj se shkallët e ankimimit kanë mbaruar, pasi është një vendim i formës së prerë, ndaj i mbetem asaj që kam thënë me kohë për këtë çështje".