Eliminohet Rusia, Portugalia e Ronaldos perfekte
Të zotët e shtëpisë dorëzohen shpejt, Meksika i mposht me përmbysje dhe kualifikohet
Portugalia fiton, Ru sia e mbyll shumë shpejt aventurën e saj në Kupën e Konfederatave, duke dëshpëruar tifozët vendës. Kundër Zelandës së Re është një shëtitje për kampionët në fuqi të Europës, të cilët fitojnë 4-0, ndërsa në të njëjtën orë dhe disa kilometra më larg, të zotët e shtëpisë fillimisht flirtojnë me kualifikimin, pasi kalojnë të parët në avantazh, por në fund përmbysen nga Meksika dhe duhet ta mbyllin që në grupe turneun parapërgatitur për Botërorin e vitit të ardhshëm.
ZELANDË E RE - PORTUGALI
Duke lënë mënjanë të padiskutueshmin Kristiano Ronaldo, trajneri Fernando Santos, Europa, por mbi të gjitha Milani zbulon një talent të madh si Andre Silva, autor i një goli spektakolar. Edhe pse luzitanët e nisin me ritme shumë të ulëta dhe me një manovër tepër të parashikueshme, gjithsesi janë ata që kontrollojnë. Pas një tentative të parë të Ronaldos në të 27-ën, zgjidhja e ndeshjes do të vijë pesë minuta më vonë. Pas një goditjeje këndi, një faull naiv i Doil në zonë detyron arbitrin amerikan Geiger që të akordojë penallti. Nga pika e bardhë "CR7" nuk gabon dhe feston golin e 56-të sezonal. Kaq mjafton që ndeshja të shndërrohet në një shëtitje për Portugalinë, të cilët dyfishojnë pas katër xhirosh kronometri me një aksion model: Kuarezma "ndez" me një parabol shpejtësinë e Eliseut që hyn në zonë dhe pason saktë për Bernardo Silvën, i cili nuk mund të gabojë. Në pjesën e dytë më i frymëzuari është Andre Silva, i cili kërkon golin me çdo kusht, përplaset dhe punon për skuadrën, derisa lodhja e tij do të shpërblehet në të 80-n: merr top nga mesfusha, 40 metra vrapim, driblim në zonë nga e djathta, ndërron hap dhe godet saktë në rrjetë me të djathtën. Dhe ndërsa tifozët e Milanit fërkojnë duart për talentin e portugezit, në fundin e takimit ka kohë edhe për festën personale të Nanit, i cili vulos rezultatin në 4-0 dhe kualifikon kampionët e Europës si të parët në Grupin A.
MEKSIKË - RUSI
Meksikës i mjaftonte një pikë për të eliminuar Rusinë dhe për të siguruar kualifikimin, por Kombëtarja e Osorios merr pikët e plota, pavarësisht disavantazhit fillestar të vendosur nga Samedov. Ky i fundit goditi saktë me të majtën në minutën e 25-të, por shpresat për kualifikim shuhen vetëm pesë minuta më vonë, kur Araujo barazon me kokë. Në pjesën e dytë, episodi që vendos ndeshjen është një gafë flagrante e Akinfev, i cili del me shumë vonesë dhe Lozano e falënderon duke goditur saktë në rrjetë. Protagonist në këtë ndeshje u bë edhe moviola, në dy raste. Në pjesën e parë, pas pamjeve, u vendos të anulohej një penallti për Smolov, ndërsa në të dytën u anulua për pozicion jashtë loje goli i meksikanit Moreno.