Zgjedhje në KOKSH, Bello: Ponari më ka kërcënuar
"Do ta ndjek çështjen ligjërisht, rast i përsëritur"
Kur na ndajnë më pak se një javë nga Asambleja e 20-të e Përgjithshme Zgjedhore e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, punimet e së cilës do të mbahen në Durrës, tensionohet situata. Jo më larg se dje, sekretari i Përgjithshëm i KOKSH-it, Stavri Bello, në një konferencë për shtyp ka akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë presidentin e Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, për shantazh dhe kërcënime. Përballë mediave sekretari Bello deklaroi se ka marrë një telefonatë kërcënuese pasditen e së premtes nga presidenti Ponari. "Të nderuar anëtarë të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, të nderuar përfaqësues të medias. Dua t'ju bëj me dije se procesi zgjedhor për zgjedhjen e organeve drejtuese të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar po shoqërohet me shantazhe të hapura nga federata dhe individë të caktuar, në kundërshtim me parimet e "fair play"-t, që udhëheqin çdo organizatë sportive dhe në mënyrë të veçantë Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar. Kulmi u arrit dje pasdite, kur në mënyrë të hapur presidenti i Federatës së Basketbollit, z. Avni Ponari, më telefonoi mua duke më ofenduar mua dhe anëtarë të tjerë të komitetit, me një gjuhë të rëndomtë dhe banale që do e kishte zili dhe një i rrugës", deklaroi në fillim të konferencës Bello.
PRECEDENTI
Në akuzën e ngritur ndaj kreut të basketbollit shqiptar, sekretari Bello pretendon se ky është një rast i përsëritur prej tij. Ndërsa shprehu indinjatën për incidentin e ndodhur, Bello shtoi se nuk do të tolerojë kësaj here dhe do ta ndjekë çështjen ligjërisht. Jo vetëm kaq, por Bello theksoi se do të vërë në dijeni të gjitha institucionet ndërkombëtare ku Komiteti Olimpik është i anëtarësuar, ku edhe ai vetë (Bello) është anëtar bordi. "Nuk është hera e parë që Ponari bën të tilla shantazhe në drejtimin tim, në drejtim të ushtrimit të detyrave funksionale si sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar duke abuzuar qartazi në funksionet që ka. Kjo deklaratë sqaruese u drejtohet të gjithë anëtarëve të asamblesë për të bërë me dije presionet dhe ofendimet të turpshme që Ponari më ka bërë. Jam shumë i indinjuar dhe personalisht do ta ndjek hap pas hapi në organet kompetente sipas legjislacion- it shqiptar. Do të njoftoj dhe të gjithë institucionet ndërkombëtare ku ne jemi anëtarësuar, madje edhe unë jam anëtar bordi. Ofendimi, shantazhi dhe presioni kanë të bëjnë direkt me mua. Në ditët në vijim do të jemi në kontakt për informacione të tjera". I pyetur nga media në përfundim të deklaratës për akuzën e ngritur ndaj Avni Ponarit, Bello sqaroi më tej se kreu i federatës ka shkuar deri atje sa nuk do ta njohë Komitetin Olimpik si institucion në të ardhmen. "Telefonata e djeshme ishte kërcënuese dhe ofenduese në drejtimin tim dhe anëtarëve të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar deri në mosnjohjen e Komitetit Olimpik".
AKUZAT E FSHF-së
Sekretari i Përgjithshëm i KOKSH- it iu përgjigj edhe akuzave të ditëve të fundit të ngritura nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit rreth zgjedhjeve në KOKSH ku pretendon se statuti nuk po respektohet dhe se procedurat po shkelen. "Kanë të drejtat e tyre, por deri tani nuk kanë ndërhyrë. Kam bërë një bisedë mjaft miqësore me presidentin Duka", sqaroi sekretari Bello, i cili përjashtoi FSHF-në në një tjetër shantazh ndaj këtij institucioni. Siç duket, edhe këto zgjedhje në KOKSH me shumë gjasa do të shoqërohen me polemika, histori kjo e përsëritur në të kaluarën. Deklarata e djeshme nga zyra e KOKSH-it e dha "shkëndijën" e parë.