Ze Maria insiston për Dokën, pengesë për shitjen
Trajneri e kërkon mbrojtësin si "bast" personal për ta perfeksionuar
Tirana ka regjistruar sezonin më të errët në historinë e saj si klub, mirëpo një sërë elementësh të spikatur kanë arritur të evidentohen nga skuadra të shumta jashtë vendit. Prej javësh, emri i Albi Dokës është cilësuar si një nga elementët më të rëndësishëm që janë zbuluar gjatë këtij sezoni me skuadrën kryeqytetase. Së fundmi, është skuadra kroate e Osijekut, e cila po insiston për të marrë shërbimet e tij, por jo vetëm. Mirëpo, deri në këtë pikë ka pasur një pengesë të madhe: trajneri. Ze Maria ka kërkuar nga drejtuesit e skuadrës që të mbajnë edhe këtë sezon mbrojtësin e talentuar. Ish-futbollisti i Interit, i cili në karrierën e tij ka bërë pikërisht rolin e anësorit të djathtë, duket se sheh te talenti bardheblu elemente cilësore të karakterit dhe formimit të tij profesional, të cilat pretendon se mund t'i perfeksionojë. Braziliani ka kërkuar me ngulm nga drejtuesit që të rezistojnë për talentin bardheblu, pasi kërkon që ta ketë në ekip për t'i mësuar… "hilet" e zanatit. Gjatë ditëve në vijim, Tirana pritet që të kthejë përgjigje kundrejt skuadrave të interesuara zyrtarisht për shërbimet e mbrojtësit të djathtë, mirëpo vetë Ze Maria do të bëjë maksimumin që ta mbajë sa më gjatë që të jetë e mundur.