“Kemi ende buxhet për përforcime”
Ditën e djeshme, skuadra dhe drejtuesit zbarkuan në Milano pas turneut aziatik. Administratori Fasone, i pyetur për merkaton, veçanërisht për Kaliniç, deklaroi: "Nuk do të përmend më emra, sepse mërziten kolegët. Kemi ende 40 ditë kohë për të përforcuar skuadrën dhe buxheti na lejon të ndërhyjmë në merkato. Aktualisht kemi një organikë të mbingarkuar, ndaj nuk duhet të nxitohemi". Për sa i përket fazës përgatitore dhe Ligës së Europës, komenti i administratorit kuqezi ishte: "Për dhjetë ditë kemi punuar në kushtet më të mira të mundshme, ndaj personalisht mendoj se i kemi të gjitha mundësitë për të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë në Rumani". Mbi arsyet e turneut aziatik, Fasone deklaroi se, përveç përgatitjeve të ekipit, një rëndësi themelore për klubet e mëdha e ka edhe marketingu. Lidhur me temën, ai tha: "Udhëtime të tilla e ngadalësojnë përgatitjen e skuadrës, por duhet kuptuar se edhe klubi ka nevoja, të cilat mund të përmbushen vetëm falë këtyre udhëtimeve. Në Kinë arritëm marrëveshje që do të marrin vlerë me kalimin e kohës".