Panorama Sport (Albania)

Shuhet ish-presidenti i Vlorës, Agron Haxhiraj

Ndahet nga jeta themeluesi i klubit privat, la gjurmë në futbollin shqiptar

-

Futbolli shqiptar dhe Vlora kanë humbur dje një prej njerëzve pasionantë të kësaj loje. Ish-themeluesi dhe presidenti i skuadrës së Vlorës, Agron Haxhiraj, është ndarë dje nga jeta në moshën 61-vjeçare. Ai lindi në Vlorë në 1956 dhe prej 17 vitesh ishte pronar i birrës "Norga". Një njeri i dashuruar pas futbollit. Në momentin e parë që iu dha mundësia dhe kishte financa të mira, ai themeloi skuadrën e Vlorës. Në 2004-n, me trajnerin Rapo Taho dhe Albert Haxhijajn, ai ngriti një ekip privat në Shqipëri, ndryshe nga skuadrat klasike me të cilat ishin mësuar të gjithë. Që në vitin e parë të pjesëmarrj­es në Kategorinë e Tretë, Vlora siguroi biletën e ngjitjes në Kategorinë e Dytë. Dhe pas katër vitesh u bë pjesë e Kategorisë së Parë në sezonin 2009-2010. Vlora mbijetoi për tri vite në këtë ligë duke mos rezistuar më gjatë. Agroni ishte shumë i dashuruar me futbollin, por i mbeti peng që nuk arriti ta ngjiste skuadrën që ndërtoi në Superiore. Megjithatë nuk u bë asnjëherë pishman për gjithçka investoi për futbollin dhe klubin e Vlorës. Agroni njihej si një njeri shumë i respektuar në qytetin e tij. Dje u nda në mënyrë të parakohshm­e nga jeta, duke lënë mbrapa një histori të bukur në futbollin shqiptar. Vlora ishte ndër të parat skuadra private në Shqipëri që u ngritën në fillim të viteve 2000 duke dalë jashtë historisë së njohur me klubet e traditës. Me këtë investim, Haxhiraj u dha mundësi shumë futbollist­ëve të talentuar që nuk gjenin hapësira te Flamurtari apo skuadra të tjera, që të bëheshin pjesë e Vlorës dhe të jepnin kontributi­n e tyre në fushë. Futbolli shqiptar dhe qyteti bregdetar humbën dje një njeri shumë të apasionuar pas kësaj loje, i cili bëri gjithçka për të ngritur një ekip modern që të linte gjurmë. Dhe deri në njëfarë mase ia arriti qëllimit me skuadrën e Vlorës. Olsen Llambro

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania