Tirana ka “firo” para Besës
Kupa e Shqipërisë kthehet në "fiksim" për klubin, por në Kavajë nuk fitojnë prej 2009-ës
Orji Kalu ikën nga Ti rana. Pa nisur mirë aventurën me bardheblutë, nigeriani shpall "divorcin". Pas vetëm dy javësh në Shqipëri, ku as nuk është stërvitur, ai është larguar. Gjatë kësaj kohe, ai as nuk u stërvit, pasi fillimisht u tha se kishte hernie diskale. Por, e vërteta është krejt ndryshe. Mbrojtësi ka bërë shkresë zyrtare në klub, duke kërkuar prishjen e kontratës për motive familjare. Lajmin e ka konfirmuar edhe zyra për shtyp, ndërsa shkruanin: "Mbrojtësi nigerian Orji Kalu ka kërkuar zyrtarisht prishjen e kontratës dhe largimin nga Shqipëria për arsye familjare. KF Tirana duke e mirëkuptuar futbollistin, ka lejuar zgjidhjen e marrëveshjes së firmosur më 31 gusht. Kalu nuk do të jetë pjesë e Tiranës në sezonin e ri. KF Tirana i uron suksese në të ardhmen". Si zëvendësues të Kalusë, bardheblutë shihnin Ervis Kajën, të cilit i bënë edhe ofertë 2-vjeçare. Megjithatë, bisedimet janë "bllokuar". Ndoshta, në klub po shohin ndonjë tjetër opsion për qendrën e mbrojtjes.
KUPA - Pasi siguruan Superkupën, tashmë bardhebluve të Ze Marias u kanë mbetur edhe dy "misione": ngjitja e menjëhershme në elitë dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë. Para se të nisin me të "panjohurën" (Kategorinë e Parë), do t'u duhet
që të luajnë me Besën për llogari të turit të parë në Kupë. Kushti i vendosur nga drejtuesit është i qartë: ky trofe duhet të mbetet në kryeqytet. Dhe rrugëtimi nis pikërisht sot në Kavajë, atje ku do të ndeshen me një kundërshtar që e njohin mirë. Ulje-ngritjet e verdhezinjve
kanë bërë që ndeshjet mes tyre në vitet e fundit të jenë të pakta, por gjithsesi Tirana shifrat i ka kundër. Mjafton të shohësh përballjet direkte dhe e kupton që, për të fundit herë në stadiumin "Besa", kanë fituar më 15 shkurt 2009. Në atë vit, bardheblutë kanë fituar titullin
kampion, ndërsa golat e shënuar prej Xhafajt, Agollit dhe Memellit zhvlerësuan barazimin e Mihanit.
EKSPERIENCA - Nëse Lika, Karabeci, Daja, Kërçiku apo ndonjë tjetër kurrë nuk kanë luajtur në Kategorinë e Parë, e njëjta gjë nuk vlen për të gjithë bardheblutë. Edhe pse pesha e ekipit do të bjerë mbi emrat e përmendur më lart, Tiranës do t'i japë një dorë edhe eksperienca e 6 lojtarëve, që gjatë karrierës së tyre kanë milituar në inferiore. Bishaj, Turtulli, Çelhaka, Greca, Levendi dhe Qilimi e njohin këtë ligë, ndaj dashur pa dashur do të kthehen në një forcë e shtuar për skuadrën. Megjithëse Tirana ka ndërtuar një superekip dhe këtë e dëshmoi kundër Kukësit në Superkupë, tashmë do të vendoset përballë një sprove realisht të madhe.