Detaje dhe fjalë, ja si Spaleti ngriti Interin
Trajner filozof, punë fizike dhe mendore me ekipin
Kokën ulur dhe shumë punë. Të dhënat flasin qartë me Spaletin që më shumë sesa në lojën e Interit ka vënë dorë në mentalitetin e futbollistëve që drejton. Ai dhe stafi i tij kanë vendosur gjithçka në dy binarë, fushë dhe mendje. T'i thuash njërit prej liderëve zikaltër "ti vlen më shumë sesa tregove sezonin e kaluar" nuk mjafton, sensi i përkatësisë është baza e punës së një futbollisti.
Faktori fushë - Në prezantimin e tij, Spaleti mezi priste të niste punën, me lojtarët e tij të rinj evitoi takimet kokë më kokë dhe u përqendrua te puna në fushën stërvitore. Bisedat e tij gjatë orëve në "Pinetina" kishin të bënin me lëvizjet në fushë, mbivendosjet dhe skuadrën që duhej të qëndronte gjithmonë e mbledhur në 40 metra. Detajet mbi lëvizjet e prapavijës dhe ndonjë batutë me ekipin bëri që mes tij dhe lojtarëve
të lindte shkëndija, pasi, siç konfirmojnë zëra nga brenda skuadrës, ekipi nuk kishte punuar kurrë më parë kaq mirë. Urdhrat e prera, rregullorja e brendshme, por njëkohësisht mënyrat e njeriut të thjeshtë që nuk ka problem të lëvizë portat apo të mbajë topat plotësuan raportin mes Spaletit dhe të tijve. Ndoshta është ende herët, por rezultatet e metodës së ish- trajnerit të Romës po japin frytet e para.
Faktori mendje - Teksa skuadra i përvishej punës, Spaleti gjente kohë në fushë t'i fliste një nga një lojtarëve. Miranda
u rikthye lideri që shkëlqeu tek Atletiko e Madridit, Nagatomo pakësoi gabimet në mbrojtje, ndërsa D'Ambrozio mund të driblohet ende lehtë, por në fund krosimi vendimtar vjen gjithmonë nga këmba e tij. Kandreva, nga ana e tij, vazhdon të vrapojë me të njëjtin vrull, por tashmë ka më shumë besim në vetvete, ndërsa Zhoao Mario është kthyer në zëvendësuesin që kur hyn, ndryshon rrjedhën e ndeshjeve. Aktualisht, kurën e doktor Spaletit po e provojnë dhe Ranokia me Brozoviç. Teksa tifozët kanë ende një hije dyshimi, trajneri punëtor është gati të fitojë bastin e radhës.