Milan me pesë “yje”, Montela: Ekipi më bindi
Tripletë e Andre Silvës, gol Suso, dy asiste dhe gol edhe për Çalhanoglunë
Rezulton më e lehtë se ç'pritej premiera sezo nale e Milanit në grupet e Ligës së Europës. Modul i ri me Kaliniç dhe Andre Silvën në majën e sulmit të mbështetur nga fantazia e turkut Hakan Çalhanoglu.
Kur nuk është konsumuar ende 60-sekondëshi i parë, turku i Milanit rrezikon të zhbllokojë sfidën me portierin Hanxhikiç që e kupton se e pret një mbrëmje e vështirë. Kuqezinjtë e nisin vrullshëm dhe goli i parë vjen në minutën e 7-të me Çalhanoglunë, i cili, nga brenda zonës dhe në pozicion të prirët, shpalos të djathtën e tij me një goditje që përfundon në trekëndëshin më të largët. Montela inkurajon të tijtë, të cilët dy minuta më pas dyfishojnë me Andre Silvën. Përsëri protagonist numri 10 kuqezi që, pasi u vjedh një top mbrojtësve kundërshtarë, pason për portugezin, i cili e dërgon topin pas shpinës së portierit të Austrisë. Humbja ndaj Lacios duhet harruar dhe mënyra më e mirë është me fitore bindëse. Djemtë e Montelës e kuptojnë që është mbrëmja e duhur dhe Kaliniç, në pamundësi për të shënuar vetë, pason për Andre Silvën, i cili shënon edhe golin e dytë personal dhe të tretin e mbrëmjes. Ekipi i ish-bavarezit Torshten Fink tenton reagimin, por Austria nuk është Bajerni dhe rrezikon të pësojë "pokerin" që në pjesën e parë. Donaruma duket i pashqetësuar dhe i vetmi rrezik në 45 minutat e para i vjen në
minutën e 17-të nga një goditje dënimi dhe nga Bilja që rrezikon autogolin. Me një tjetër përpjekje nga vendi të Çalhanoglusë mbyllet pjesa e parë.
Në 45 minutat e dyta, refreni është i njëjti me Milanin që bën lojë e sulmon dhe Austrinë që, falë individualiteteve, mundohet të reagojë duke shënuar edhe një gol falë Borkoviç, i cili në pjesën e parë kishte zëvendësuar të dëmtuarin Vesterman. Djemtë e Fink përpiqen për të gjetur një realizim që do të rihapte ndeshjen, por Andre Silva vendos që duhet të marrë topin në shtëpi. Pasim në zonë i Kesit dhe portugezi nuk fal duke shënuar golin e "pokerit" kuqezi. Pesë minuta më vonë, edhe Suso (një minutë pasi ka hyrë në fushë për të zëvendësuar Nikola Kaliniç) shënon emrin e tij në tabelën e golashënuesve. Spanjolli është me fat, pasi goditja e tij nga larg
devijohet aq sa për të shmangur ndërhyrjen e portierit kundërshtar. Me minutat e mbetura që kalojnë mes ndërrimesh nga të dy kampet dhe Milanin që administron energjitë, mbyllet edhe sfida në "Ernst Hapel" të Vjenës. Herën e fundit në këtë stadium, "Djalli"
kishte humbur një finale kupe kampionesh ndaj Ajaksit, ndërsa mbrëmë pas 1286 ditësh rikthehet të luajë një ndeshje në Europë, pa përfshirë këtu paraeliminatoret. Fitore bindëse dhe vend i parë në grup, më mirë se kaq ishte e vështirë. "Aroma" e Europës i bën mirë Milanit.