"Gjithmonë interist, klauzola 110 mln është pak..."
Shifra e dyfishtë e golave në kampionat është arritur, por mbi të gjitha, një nivel paraqitjesh gjithmonë në rritje edhe për sa i përket ndihmës së skuadrës në zonën kundërshtare. Debati mbi faktin nëse Mauro Ikardi është sulmuesi më i fortë në kampionatin italian mbetet i hapur, por në pritje të sigurive, vlera e bomberit të Interit po rritet gjithmonë e më shumë. KLAUZOLA - Rinovimi i fundit, i firmosur në përfundim të një tratative të gjatë mes klubit zikaltër dhe bashkëshortes menaxhere, Vanda Nara, vendosi në kontratën e kapitenit një klauzolë largimi prej 110 milionësh, e vlefshme vetëm për shitjen jashtë Italisë. Të arsyeshme? Zonja Ikardi ka anashkaluar shpesh argumentin, por jo Mauro, i drejtpërdrejtë në rrjedhën e intervistës së lëshuar për revistën "Undici": "110 milionët e klauzolës? Pas asaj çka ndodhi në merkaton e fundit, ndoshta janë pak", ka thënë Ikardi duke iu referuar verës së "çmendur" me milionat e Mbapesë e Nejmarit me shokë. "Por diskutuam me klubin dhe u vendosën këto kushte". DASHURI ZIKALTËR - "Zërat për kalimin te Napoli në 2016ën? Ndodhën disa gjëra vitin e kaluar, tashmë i përkasin të shkuarës. E vetmja gjë që nuk do përsërisja është historia me librin. E kam thënë kohë më parë. Jam interist që i vogël, sepse kur luaja me ' Playstation' zgjidhja gjithmonë Interin, gjithmonë. Atje ishte Adriano në sulm, një bishë. Dhe këtej ka kaluar edhe sulmuesi numër 1, 'Fenomeni', që ka shkruar historinë e këtij sporti. Barcelona më likuidoi? Në të vërtetë nuk shkoi kështu, nuk më larguan. Patëm disa diskutime, por vendosa të vija në Itali sepse isha i bindur se mund të paraqitesha më mirë sesa në Spanjë".
IKARDI BABA - Në mbyllje, kapitulli "Vanda": "Bën gjithçka ajo, unë përpiqem ta ndihmoj. E thërras Vanda kur jam i inatosur, përndryshe ' gorda', ' gordita'. ' Trashaluqe' është përkthimi, por në gjuhën spanjolle shpreh dashuri. Një tjetër fëmijë? Jo, mjaft, mjaft. Jemi të lumtur me këta 5 fëmijë të mrekullueshëm".